Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka deklaruar se nënshkrimi i kontratës midis KEDS-it dhe Elektroseverit është hap i mirë pët Kosovën, pasi sipas tij, nuk do të ketë më humbje dhe dëme të mëdha për shkak të kompenzimit të Qeverisë ndaj qytetarëve në veri të vendit me faturat për rrymën.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje mund të vë në praktikë nga viti i ardhshëm faturimin e rregullt në veri të vendit.
“Mund të quhet një lajm i mirë për Kosovën dhe për qytetarët e veriut të saj, në kuptim e asaj që dihet që kjo marrëveshje ka qenë e dakorduar kohë më parë nga Qeveritë e kaluara, por zbatimi në praktikë i saj ka munguar. Dihet që deri më tani energjia elektrike në veri nuk është kompenzuar nga qytetarët atje, por nga Qeveria e Republikës me humbje dhe dëme jashtëzakonisht të mëdha. Kjo paraqet një lajm të mirë për Kosovën, shpresoj që kjo marrëveshje të vihet në praktikë dhe nga viti i ardhshëm të kemi faturim të rregullt në veri të Kosovës”, ka thënë ai.
Lidhur me formimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe, Sadiku ka thënë se Qeveria po heziton në formimin e tij për shkak se nuk ka marrë asnjë sinjal nga Serbia për njohje.
“Përderisa Kosova nuk ka marrë asnjë sinjal nga Serbia për njohjen de facto apo de jure, i bie që ata hezitojnë ta formojnë Asociacionin, sepse nuk i kanë ende garancitë nga bashkësia ndërkombëtare e as presidenti Vuçiq dhe Qeveria e tij nuk kanë garantuar se së pari do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje dhe do ta zbatojnë. Qeveria ka zgjedhur një rrugë të tretë që të mos i thuhet jo, në parim të pranohet por praktikisht të prolongohet përmes qoftë ndonjë akti nënligjor. Pra, prolongimi nga Qeveria duket të jetë i qëllimshëm”, është shprehur ai.
Sipas tij, nga marsi deri në shtator të vitit të ardhshëm do të dihet saktë nëse do të ketë implementim të tij nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Prej marsit deri në shtator të vitit 2024 do të dihet saktë se a do të ketë implementim të Asociacionit nga Qeveria e Kosovës, apo do të kemi shtyrje pas zgjedhjeve që do te ndodhin në SHBA, Unionin Evropian dhe më pas edhe Kosova do të futet në zgjedhje parlamentare dhe do të maten forcat se kush do të prijë me Qeverinë e ardhshme, ndërsa po të zbatohet Asociacioni para se të hyhet në zgjedhje, të krijohet mekanizmat dhe fillon implementimi i tij, dëmi do të jetë elektoral në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.