Qeveria e Kosovës e as KEDS-i nuk kanë publikuar përmbajtjen e kontratës së nënshkruar në fundjave për faturimin e energjisë në veri të vendit e as nuk kanë treguar për hapat që e pasojnë nënshkrimin e saj. Në shoqërinë civile kanë thënë se zbatimi i marrëveshjes në praktikë do të mbetet e paqartë për aq kohë sa nuk dihet për çfarë marrëveshjeje kontraktuale janë dakorduar palët.
Hap drejt faturimit të rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është konsideruar nënshkrimi i kontratës mes KEDS-it dhe “Elektroseverit” nga ekzekutivi.
Por në këtë institucion, të martën, nuk kanë sqaruar se çfarë veprimesh duhet ndërmarrë më tej që të përmbyllet mospagesa e rrymës në veri.
Kontrata mes KEDS-it dhe “Elektroseverit”, e nënshkruar të shtunën, nuk është bërë publike ende.
Në Institutin për Politika Zhvillimore-INDEP thonë se do të mbetet e paqartë ecuria e procesit.
“Nuk e dimë se çfarë përmban marrëveshja, nuk e dimë se çfarë kemi arritur, a kemi arritur qe me këtë marrëveshje të fillojmë menjëherë faturimin, a kemi arritur që KEDS-i të dakordohet që të shpërndajë sasinë e energjisë me Elektrosever e më pas ai të kryejë faturimin te këto komuna e më pas te KEDS. Të gjitha këto janë pikëpyetje që në këto qaste ne mund të themi vetëm hipotetikisht por nuk mund të themi saktësisht se çfarë do të ndodhë”, tha Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP.
Gjocaj thotë se e mirëpresin nënshkrimin e kontratës, por një veprim të tillë e konsiderojnë të vonuar.
Hollësi nga përmbajtja e kontratës nuk kanë dhënë as në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë-KEDS.
Por, në një përgjigje me shkrim, thuhet se me nënshkrimin e kontratës, “Elektrosever” “mund të fillojë operimet për kryerjen e aktiviteteve të furnizimit në pjesën veriore” dhe se ajo i përmbahet ligjit të Kosovës.
“Rrjedhimisht, me nënshkrimin e kësaj kontrate, ‘Elektrosever’, si nënkontraktor i KEDS-it, duhet të përmbushë detyrimin kontraktual të shërbimeve të shpërndarjes dhe furnizimit bazuar në licencën e furnizuesit në pjesën veriore të Kosovës. Kontrata e nënshkruar me KEDS-in rregullon përdorimin e rrjetit të shpërndarjes sipas marrëveshjes për kyçje, njësoj si për furnizuesit e tjerë që janë aktivë në Kosovë. Po ashtu, ‘Elektrosever’ e ka përgjegjësinë për sigurimin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e veriut”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Lidhur me kontratën e nënshkruar e veprimet që do ta pasojnë atë nuk janë përgjigjur as nga “Elektrosever”, e në BE kanë thënë se komentimi e ndarja e detajeve prej saj iu takon të dyja palëve.
Në INDEP shpresojnë që kontrata me “Elektrosever” të mos ketë fatin e moszbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë e të kontratave të nënshkruara që nuk janë publikuar.
“Shpresojmë në implementimin e saj edhe që nuk është praktikë që tashmë edhe jemi mësuar ku po arrihen marrëveshjet, po bëhen me shumë pompozitet të arritura e të nënshkruara mirëpo kur po vije puna te zbatimi po qapojnë të dyja shtete si aspekt i problemeve politike që i kemi por edhe aspektet e tjera që shpeshherë për sektorin e energjisë nuk janë probleme teknike por politike”, tha Gjocaj.
Kosova dhe Serbia, marrëveshje për energjinë kanë arritur më 2013 dhe 2015, por të cilat nuk janë zbatuar.
Në qershor të vitit të kaluar, që të dyja palët me ndërmjetësimin e BE-së janë dakorduar për zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë. Sipas këtyre marrëveshjeve derivon edhe kontrata e nënshkruar mes KEDS-it dhe “Elektroseverit”.