Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka para vetes dy opsione, të cilat sipas tij janë zbatimi i kërkesave të ndërkombëtarëve ose ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Qeveria e Kosovës të mërkurën urdhëroi që të zbatohet vendimi i Kushtetueses për t’i dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit. Këtë vendim, Kurti e përshkroi si “të dëmshëm”, por “të domosdoshëm” për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Të premten, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova i ka edhe dy kushte për anëtarësimin në KiE, shpronësimin e tokave në veri dhe formimimin e Asociacionit. Escobar, që së fundmi qëndroi në Kosovë, ka thënë se Kurti ia ka refuzuar propozimet për çështje e dinarit.
Analisti Sadiku ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë zgjidhje për këtë çështje pasi presioni ndërkombëtar sa vjen e rritet. Refuzimi, sipas tij, s’është zgjidhje.
“Qeveria duhet t’i menaxhojë në kuptimin pozitiv në interes të saj këto marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë, duke bashkëpunuar me ndërkombëtarët. Në rast se refuzon propozimet e ndërkombëtarëve, duhet të ofrosh një zgjidhje që i bind ata se je duke u marrë seriozisht me çështjen e dinarit. Refuzimi nuk është rrugëzgjidhje për ngërçin në raport me dinarin dhe kërkesat e serbëve të Kosovës te ndërkombëtarët. Duhet të gjendet opsioni shtesë që gjen zgjidhje për këtë tematikë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Sadikut, Kurti ose duhet t’i zbatojë kërkesat ose ta çojë vendin në zgjedhje.
“Asociacioni është tjetër kërkesë kryesore. Nëse i refuzon këto kërkesa, atëherë duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Këto zgjedhje më pas do ta prolongonin këtë proces deri në afat paszgjedhor. Nëse vazhdohet me këtë retorikë, presioni do të rritet dhe do ta ketë të vështirë të menaxhojë presionin e madh”, ka deklaruar ai.
Edhe
Kurti: Shkuarja në zgjedhje s’është opsion, duhet vullnet për zgjidhje e vendime jo të lehta
Sadiku ka thënë se nuk pret ndonjë gjë nga takimi i kryenegociatorëve në Bruksel të martën.
“Si zgjidhje e mesme duhet të jetë pezullimi i Rregullores së re të BQK-së deri në gjashtë muaj ose një vjet. Ndërkombëtarët po thonë se me themelimin e Asociacionit, atëherë edhe çështja e dinarit do të zgjidhet vetvetiu”, ka shtuar ai.
-
Sadiku: Ftesa e Kurtit për opozitën, ndërhyrje në punën e Gjykatës Kushtetuese
-
Kurti: E kemi prioritet absolut t’i evitojmë zgjedhjet
-
Çështja e presidentit, Kurti: Ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që të shkojmë prapë në zgjedhje
-
Kurti për AFP: Në zgjedhjet e 28 dhjetorit na duhet fitore me mbi 50 për qind