Arbëri

Rutte: Po presim llogaridhënie nga Vuçiqi për Banjskën

rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se në vazhdimësi janë të njoftuar për të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me situatën e sigurisë në rajon.

Para takimit me Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, Rutte është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka theksuar se ndër tjerash është në kontakt me presidentin e Serbisë dhe se kërkon llogaridhënie për sulmin në Banjskë më 2023 dhe trazirat në veri po atë vit.

“Unë por edhe aleanca jemi në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Jemi duke pritur për lloogaridhënie për atë që ka ndodhur në Banjskë në vitin 2023 dhe për ngjarjet e tjera më 2023. Ndjekim nga afër ngjarjet dhe përmes KFOR-it dhe aktivitetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, si në Bosnjë dhe Kosovë, ne jemi shumë të përfshirë dhe i ndjekim gjërat nga afër”, ka thënë Rutte.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë pati lënë të vrarë policin Afrim Bunjaku. Për sulmin procesi gjyqësor është ndaj rreth 40 të akuzuarve që ndodhen në Serbi, përfshirë Milan Radoiçiqin. Të akuzuarit ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t’ia bashkojnë Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur Bunjaku, dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë, si dhe e popullatës civile.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, në të cilin, pos policit Bunjaku, janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërsa pjesa tjetër e tyre është larguar në drejtim të Serbisë, pasi paraprakisht është strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.

Autoritetet serbe nuk kanë dhënë shenja deri tash për dorëzimin e tyre.

Në maj të vitit 2023, serbët në veriun e Kosovës organizuan protesta të vazhdueshme dhe intensive, duke u përballur edhe me KFOR-in, si reagim ndaj instalimit të kryetarëve shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Nga dhuna që ushtruan serbët atë kohë qenë lënduar ushtarë e gazetarë.