Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan Kharchenko, ka thënë se qëndrimi i shtetit të tij kundrejt Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht faktit se Moska zyrtare i ka njohur si shtete të pavarura Donetskun e Luhanskun në Ukrainë. Rusia ka thënë se s’do të kërkojë që Serbia t’i njohë këto dy rajone separatiste.
“Sa i përket çështjes së Kosovës, qëndrimi i Rusisë është parimor, i qëndrueshëm, dhe nuk do të ndryshojë edhe nëse ndryshon situata në rajonin e Ballkanit apo jashtë tij. Ky pozicion mbështetet në të drejtën ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ka thënë Kharchenko për “Vecernje Novosti”.
I pyetur nëse Moska do të kërkojë nga Beogradi t’i njohë dy rajonet ukrainase që i njeh edhe Rusia, ai u përgjigj që “sigurisht që jo”.
“Këto tashmë janë shtete të pavarura. E përsëris, ne nuk kërkojmë asgjë nga Serbia”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk ka rrezik që lufta në Ukrainë të kthehet në luftë të tretë botërore.