Rusia përmes ambasadorit të saj në Beograd, ka nënvizuar edhe një herë “miqësinë mes dy vendeve” dhe “tentimin e Perëndimit për të prishur këto marrëdhënie”.
Ambasadori rus Alexander Botsan Kharchenko ka thënë se e kupton se në “çfarë presioni ndodhet Serbia”, përcjell “b92” pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Ditëve të fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se situata për Serbinë është vështirësuar që prej deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin, kur tërhoqi paralele mes Kosovës dhe dy rajoneve separatiste në Ukrainë, Luhansk dhe Donetsk.
Kharchenko po ashtu tha se qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk ndryshon.
"Ne nuk e njohim Kosovën dhe mbështesim në mënyrë më aktive Beogradin në forumet ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjithçka në lidhje me ndryshimin e pretenduar në pozicionin e Rusisë u shpik me qëllim të prishjes së marrëdhënieve Moskë-Beograd dhe masave anti-ruse të Serbisë", tha Khachenko të hënën në një program mëngjesi në Serbi, kur u pyet për deklaratën e Putinit.
Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë, por ka përkrahur dy rezoluta kundër këtij vendi në OKB.
Edhe
Rusia paralajmëron Vuçiqin: E papranueshme që ushtarët rusë të vriten nga armët serbe
Po ashtu në shumë media serbe ka ndryshuar diskursi që prej deklaratës së Putinit, të cilën e quajtën “thikë pas shpine”.
Putini iu referua mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 2010 tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë normë ndërkombëtare. E sipas Putinit, këtë “precedent” mund ta shfrytëzojnë edhe rajonet proruse në Ukrainë, që bashkë përbëjnë rajonin Donbas.