Mungesa e investimeve në nyjat sanitare në QKUK, menaxhimi i higjienës nga kompania private dhe mungesa e plotë e kontrollit të infeksioneve spitalore janë çështje që kërkojnë zgjidhje urgjente nga spitali më i madh publik në vend. Ky institucion as ka evidencë e as plan se si do t’i adresojë këto problematika
Më 5 tetor të këtij viti kati i parë i Klinikës së Ortopedisë në QKUK për disa minuta u bë pothuajse jofunksional.
Në tualetin e katit të dytë, shpërtheu një gyp nga i cili rrodhi sasi e madhi e ujit e i cili po përfundonte në katin përdhese.
Punëtorët e mirëmbajtjes në këtë klinikë i kanë të përditshme përballjet e këtilla. Sistemi i ujit në këto banja është pothuajse i shkatërruar plotësisht andaj përveç punës së tyre rutinore, detyrohen të mirëmbajnë këtë sistem për të cilën institucionet nuk e shohin të rëndësishme të investojnë.
Koha është ndalur për pothuajse secilin nga tualetet e spitalit me të madh publik në vend – Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – institucionin ku bëhen trajtimet e rasteve më të komplikuara në vend.
Tualetet apo nyjat sanitare të secilës klinikë janë dëshmi e keqmenaxhimit ndër vite, rrezikimit të jetës së pacientëve për shkak të mungesës së higjienës e shfrytëzimit të punëtorëve nga kompanitë private pikërisht në emër të higjienës.
Punëtoret e mirëmbajtjes janë të parat që përballen me kushtet e rënda të spitalit, dhe jo vetëm.
Një pjesë e tualeteve, për shkak të problemeve me rrjetin e gypave i ekspozohen rrjedhjes së ujit. Punëtorëve u duhet që një pjesë të orarit të punës ta shpenzojnë në largimin e lagështisë në dysheme.
“Çdo 10 minuta na në banjo. Bone aty, vjen pala, bjen uji këtu... rrezohet pacienti. Vallain po, nuk është në rregull”, thotë një punëtor që ka me shumë së një dekadë që përballet me situatën e njëjtë.
Rrjedhja prej një pjese të madhe të banjove nuk është problem i ri për QKUK-në.
“Ky problem qetash i bon një vit. Nuk kanë provu me rregullu. Unë vet e kam ba kërkesën tek motra kryesore, e kam çu tek shërbimet teknike”, thotë ai.
“Ushqehemi ku pikon banjo”
Në kohën e ushqimit, punëtorët që kujdesen për pastërtinë, hanë nën shkallë, në depo e vendo ku mbahen mjetet e pastrimit. Në kuzhinat e vendet e dedikuara për ushqim për stafin shëndetësor nuk ka vend për ta.
Shpeshherë gjatë kohës së ushqimit, uji me papastërti u pik nga kati i sipërm.
“Po more qysh nuk pikë. Pikë prej larti. Në një vend ku rri unë. S’ka kërkund rregullime. Pikë prej nalti. Pikë qaty ku unë ha do bukë. Në sabah kur e kam hangër një kifle edhe tash ku me ditë kur hajmë”, thotë një tjetër punëtore.
Brenda spitalit më të madh në vend, ka vend edhe për zogj. Tavani i katit më të lartë në disa vende është shpërbërë, e qasja e tyre bëhet më e lehtë edhe për shkak të dritareve të thyera.
“Këto i ka ndreq një familjar i një pacienti se i vinte gjynah prej meje”, thotë gruaja që punon si mirëmbajtës higjienike prej 15 vjetësh.
Kushtet e punës kanë qenë gjithmonë përafërsisht të njëjta. Por kjo punë ia siguron mbijetesën familjes 6-anëtarëshe të saj.
Në vendin ku punon, dera është zhvendosur plotësisht nga vendi, myku është në pllakat e tavanit, e mungesa e ndriçimit dhe ajo e ujit, janë zakonshme. Të gjitha këto ia bëjnë punën me të vështirë e edhe i shkaktojnë telashe shëndetësore.
“Vazhdimisht kollitem. A po e sheh gjithkah dritaret e thyera? Problem është sidomos gjatë dimrit”, rrëfen ajo.
Dosjet e pacientëve në tualete
E njëra nga banjat është shndërruar në hapësirë administrative. Aty është “strehuar” dokumentacioni shëndetësor i pacientëve, e për shkak të kushteve të këqija, librat me protokolle mjekësore janë mykur.
Në pjesën me të madhe të banjave të QKUK-së, veçanërisht tek pjesa kirurgjike mungojnë investimet. Punonjësit thonë se prej që e mbajnë mend, kushtet janë të njëjta.
Anashkalimi nuk është bërë gjithmonë për mungesë buxheti. Siç ka mësuar KOHA, vitin e kaluar SHSKUK-ja kishte në dispozicion mbi 200 mijë euro për rinovimin e nyjave sanitare. Tenderi nuk u hap e mjetet shkuan në suficit. Përafërsisht kaq ishin planifikuar edhe për këtë vit. Në QKUK kanë konfirmuar se deri në gjysmën e tetorit janë shpenzuar jo me shumë se rreth 60 për qind e buxhetit për këtë çështje.
Sfidën më të madhe me këto kushte e kanë punëtoret e kompanisë “Laguna” që janë kontraktuar për mirëmbajtjen e objektit.
Një punëtor i mirëmbajtjes tregon se merr saktësisht 280 euro në muaj për punën që bën.
“Sebepi i fëmijëve. Ata nuk pyesin se a ke a nuk ke. Atyre nuk ju intereson. Është vështirë me i thanë dikujt që varna veç prej qetyne. Është tmerr”, thotë ajo.
Një tjetër punëtor në kushte anonimiteti, thotë që paratë që i merr i shpenzon për ta ndihmuar një anëtar të familjes të diagnostikuar me kancer.
“E kam një familjare me kancer. Kur mungon diçka në QKUK, po kemi shpenzime. Ma mirë me qeto se pa hiç.”, thotë ajo.
E dikush i gëzohet faktit që “nuk ka dhunë fizike”.
“Këta të dhunshëm nuk janë. Ka pasë ma moti që ta gjujshin tanirin ftyrës me të pa ulur ose duke u ushqy”, ka thënë ajo, duke iu referuar kushteve në të cilat kanë punuar më herët.
Por sipas një shoqëruesi të një pacienti, një nga to është “qortuar” për shkak që është parë duke biseduar me ekipin e televizionit.
I kanë nxjerrë problem asaj. E kanë marrë në pyetje atë”, tha ai. “Atë që dje a pardje folke me ju. Nuk e di qysh e ka emrin. Pastruesja”.
Pak punëtorë
Kompania që është angazhuar në mirëmbajtjen e spitalit, tenton ta rrisë fitimin, duke kalkuluar orët shtesë të punëtorëve për favore të saj.
KOHA ka qëndruar për disa ditë në ndërrime të ndryshme – atë të paradites dhe pasdites në hapësirat e QKUK. Ka identifikuar disa raste kur një punëtor kujdeset për më shumë hapësirë sesa do të duhej.
Shembulli ilustrativ është Mjekim Intensiv Qendror që është klinika më e ndjeshme në krejt SHSKUK. Përveç ndërrimit të parë 8 orësh, në kontratë thuhet që do të jenë nga dy punëtorë edhe në ndërrimin e dytë dhe të tretë.
Megjithatë, sa herë KOHA e ka vizituar këtë hapësirë në ndërrimin e pasdites ka qenë vetëm një punëtor.
Kjo kompani funksionon me orare 12-orëshe për punëtor që i bie që secili punëtor një ditë punon e një ditë pushon. Pra në këtë klinikë brenda 24 orëve punojnë tre punëtorë me dy ndërrime e jo gjashtë.
E kur dikush nga punëtorët marrin pushim, barra e pastrimit u dyfishohet punëtorëve.
“Kur është në pushim kolegia, e pastroj edhe atë pjesë”, ka rrëfyer një nga punëtoret
Me më shumë se 13 vjet përvojë pune thotë që ka 18 ditë pushim vjetor e këtu sipas saj llogaritët edhe përvoja e punës.
Në kontratë të kësaj kompanie me SHSKUK-në thuhet që do të kenë punëtorë shtesë për fundjava e festa, por me ata që ka biseduar KOHA kanë thënë që varësisht se si ju bie orari ata punojnë edhe në fundjava e edhe në festa. Nuk kanë treguar që për këto ditë ka punëtorë shtesë.
Vetëm për punëtorë të fundjavave dhe festave siç i ka deklaruar, kjo kompani do të duhej të paguante rreth gjysmë milion euro për të gjithë kontratën.
Kaltrina Rexhepi-Dragusha, drejtoreshë në Institutin për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut, thotë se trajtimi i punëtorëve dallon në kompanitë private.
“Te gjendja e punëtorëve dallimi është shumë i madh. Në sektorin privat punëtoret paguhen shumë më mirë edhe nëse mund të jenë të kontraktuar nga kompania e njëjtë. Kanë kushte me të mira, kanë paga më të mira dhe në përgjithësi trajtim më të mirë, edhe pse do të duhej të ishte e kundërta pasi që institucionet publike do të duhej t’i monitoronin”, ka thënë Dragusha.
E një punëtore shëndetësore ka theksuar që përveç se kompania angazhon më pak punëtorë sesa është paraparë me kontratë, edhe mjetet e pastrimit nuk janë higjienike për përdorim për spital.
“Nëse këta kanë me fshi me një gjoker, kanë me na dëmtu neve, vetën e vet, pacientët... Me një gjoker... tash llogarite edhe në shpi nuk e përdorim krejt. Çka me thanë. Nuk është në pyetje WC-ja. Këtu 13 dhoma fshihen”, ka deklaruar kjo profesioniste.
KOHA ka dërguar pyetje te kompania, por nuk ka pranuar përgjigje.
Në kërkim të sapunit e letrës
Sfida për të gjetur shampo e letër në tetorin e vitit 2023 është e vështirë.
“Jo çfarë letre e shamponi. Nuk ka as për staf shëndetësor oj motër”, thotë një nga punëtorët e mirëmbajtjes.
Mungesa e materialit higjienik e prish imazhin e institucionit shëndetësor në shumë raste kur pacientët shprehen të kënaqur më shërbimet e stafit, por se për problemet tjera fajin ia lënë menaxhmentit.
“Në njërën banjo nuk ka ujë. Banjot janë katastrofë se mjekët, motrat shumë mirë. Janë të sjellshëm, janë të kujdesshëm. Operacioni me ka shku gjithçka mirë. Veç banjo nuk kish këtu. I smuti me marrë erë, katastrofë ish”, thotë Hafie Zeqiri, paciente në Klinikën e Ortopedisë.
Nervozohet pak nga pyetja se a kishte letër në banjo.
“Jo letër! Çfarë letre? As nuk vjen në shprehje ajo. S’ka kurgjo. Hyn vetë edhe shikoje. Veç qele derën e shikoje. As nuk kish bravë me u mbyllë dera. Po duhet burra e gra me hy qaty. Pa çelës ku ke pa t’i kështu? Veç duhet me të rujtë një pacient, me i thanë a po vjen rujumë. Nejse edhe unë që pesë ditë jam, ama dy ditët e para jam smu. Për banjo se jo për diçka tjetër”, thotë ajo.
Revoltën e njëjtë e ndan edhe shoqëruesi i një pacienti të shtrirë në Klinikën e Urologjisë.
“Letër s’ka. Krevetat katastrofë. Karrocë nuk kishim me e pru pacientin lartë. Shumë gjendje katastrofë. Jo kemi mëndu që është ma mirë, por këtu kurgja nuk kish”, thotë Fitim Gashi.
Sfida më e madhe e punëtoreve është menaxhimi i qeseve urinare.
Një nga to tha që nuk mund të bartë shumë peshë andaj shpesh i derdh në banjo, pa qenë e vetëdijshme për pasojat.
“Jam operu prej lukthi e nuk mundem me bartë pesha të renda. Qeset urinare i marr i zbarzi në vrimën këtu që me e pasë ma të lehtë thesin me mbeturina me e dërgu jashtë”, thotë ajo.
Kur pyetet se a e di rrezikun që nga zbrazja johigjienike e tyre mund të marrë ndonjë infeksion – ajo rrudhë supet.
Askush në QKUK nuk ka trajnim se si duhet të menaxhohen mbeturinat medicinale.
Një punëtor shëndetësor ka rrëfyer se si një shoqërues i pacientit kishte marrë infeksion gjatë qëndrimit në QKUK.
“Një familjar që ka qenë me babë të vetin është në Gjermani. Be në Zot me bani, kur ish shku atje ish infektu në qet dhomë qetu që ka nejt me babë të vetin. Llogarite ti, në Gjermani, diçka me një mikrob diçka. Tha unë nuk e di qysh mundeni me ia dalë ju aty se vdes pacienti shembull, as nuk vjen kush me e dezinfektu, as shtratin, as kurgja. Na me do alkool e me çka të mundemi”, ka thënë ky punëtor.
Çështja e infeksioneve brenda spitalore është e rregulluar me udhëzim administrativ i nxjerr në vitin 2011.
Spitalet publike kanë ekipin për kontrollin e infeksioneve të cilët i raportojnë Komisionit për Infeksione Spitalore.
Ekipi është shkarkuar para disa ditësh, siç kanë thënë burimet “për shkak të problemeve në komunikim brenda ekipit”. E komisioni për Infeksione Spitalore në QKUK ka filluar punën për herë të parë vetëm para disa muajsh.
Kryesuesi i këtij komisioni Gazmend Spahija ka thënë se janë në fillim të detyrës që e kanë marrë, por fillimisht po i trajtojnë vetëm ato që i ka quajtur “pika të nxehta”. Si pikë të parë ai ka theksuar rëndësinë e higjienës së duarve.
“Në incidencën e infeksioneve spitalore kontribuojnë shumë. E para është kultura e popullatës tonë por edhe kultura e stafit shëndetësor, ku edhe në hulumtime edhe në punime, ne lexojmë shumë që një prej faktorëve kryesorë që mundet me qenë edhe bartës është higjiena, e sidomos higjiena e duarve, për të cilën edhe më parë është punuar edhe është shpërndarë udhëzuesi për higjienën e duarve, e cila monitorohet por jo ashtu kënaqshëm”, ka deklaruar Spahija.
Ai ka shpjeguar se si bëhet matja.
“Ekipi për Infeksione brendaspitalore ka një person ndërlidhës në repartin ku kemi incidencë me të madhe të infeksionit dhe përmes atij personi mbledhin të dhëna edhe për rastet individuale, për rrugën se si ka ardhë apo nëse pacienti është transferuar në njësi të tjera. Krejt përcillen këto rrugë dhe mandej mblidhen krejt këto informata edhe nxirret njëfarë përqindje”, ka thënë ai.
Larg Afrikës
Por disa klinika nuk i raportojnë fare këto lloje infeksionesh duke i bërë të dhënat plotësisht të pabesueshme. Siç ka mësuar KOHA, vitin e kaluar, Klinika Infektive nuk kishte raportuar nëse ka ose jo të tilla infeksione.
Në raportin e fundit për këtë çështje, thuhet se Mjekimi Intensiv Qendror ka shkallën me të lartë të infeksioneve, me rreth 42 për qind, që është shumë më e lartë se në vendet e zhvilluara, por sipas tij, diku afër vendeve të rajonit.
Spahija ka thënë që janë në rrugë të mirë që kjo shifër të ulët.
Në fund të secilit raport jepen rekomandimet se si të ulet shkalla e infeksioneve. Higjiena sipas standardeve, filtrat para sallave të operimit, dyert automatike, largimi i klimave nga sallat e operacionit dhe intensiva janë disa nga to.
KOHA ka vizituar disa nga sallat e operacionit për të parë situatën.
Fillimisht ka vizituar Klinikën e Ortopedisë për të parë ankesin e ri që është lëshuar në punë vetëm para disa muajsh dhe në të cilin janë investuar 2 milionë euro.
“Ky objekt është ba në dy faza. E kanë ndërtu një fazë sallat dhe një fazë dhomat lartë. Nuk kanë lanë lift. I kanë shkatërru sallat e vjetra që u kanë thanë, por ato kanë qenë të reja, por të pandërruara pa kriter. Edhe në ato janë tu e ndërtu aneksin tjetër, liftin po dojnë qetash me e rregullu. Mirëpo jam pesimist me punën që e kanë ba dhe suksesin që ka me e pasë ky objekt”, ka deklaruar Gani Jashanica, drejtor i Klinikës së Ortopedisë
E i irrituar me gjendjen është shefi i anesteziologëve në këtë klinikë.
“Salla katastrofë. Veç na kanë shti hajt qetu. Që, këqyre. Asgjë të hajrit nuk ka. T’u harrnu. Nxemje nuk ka. Ventilim nuk ka. Jena futë në salla. Pa lidhje veç... Larg normave ndërkombëtare. Larg Afrikës se jo normave ndërkombëtare. Me shku në Afrikë i ke kushtet ma të mira tash e na që në çfarë kushteve jetojmë”, ka deklaruar Agron Bala, anesteziolog në QKUK.
Në anën tjetër, siç ka mësuar KOHA, ekipi për kontrollin e infeksioneve nuk ka bërë as analizim e as ka trajtuar fare shumë klinika e reparte, madje as sallat e operimeve, duke nxjerrë përfundime të mangëta në raportim.
Por gjendja e sallave të operacioneve që ka vizituar KOHA janë shumë larg normave ndërkombëtare.
Sallat nuk kanë zonë neutrale ose filtër zone e cila do të duhej të ishte e pastër plotësisht. Në hyrje të tyre dyshemeja është e dëmtuar e tashmë ka marrë ngjyrë dheu. Pak hapa tutje janë vendet ku pacientët operohen. As këto salla nuk janë me ventilim qendror. Siç i kanë shpjeguar KOHËS profesionistët shëndetësor, në sallat e operimit nuk duhet të këtë klima por hepafiltra ku ajri nga toka nuk ngrihet lartë të përzihet me ajrin tjetër sepse supozohet që rritë gjasat për infeksione në sallë.
Spahija i komisionit për infeksione, thotë se ekziston projekti dhe se presin që së shpejti do të bëhen filter zonat para secilës sallë të operacionit.
Derisa zyrtarët brenda QKUK-së presin dorën e shtetit, janë disa shembuj të kundërt për të mirë.
Klinika e Onkologjisë ka rinovuar hapësirat e tualeteve dhe banjave, nëpërmjet donacionit nga i afërmi i një pacienti që është trajtuar aty, dhe Klinika e re Pediatrike e ndërtuar nga një donacion arab, që prin për kushtet e mira.
Në SHSKUK ankohen vazhdimisht për praninë e madhe të shoqëruesve të pacientëve, por prania edhe pranë sallave të operimit është e pashmangshme. Ata futen brenda për të sjellë materialin i cili mungon për operimin e familjarit të tyre.
“Deri qetash kemi ble goxha shumë barna. Nuk e di saktë, por boll. Çdo ditë”, tha Fitim Gashi, shoqërues i një pacienti të hospitalizuar në QKUK.