Showbiz

Britney Spears reagon ndaj librit të ish-bashkëshortit

Kevin Federline dhe Britney Spears

Kevin Federline dhe Britney Spears

Ekipi i Britney Spears ka reaguar ndaj komenteve të ish-bashkëshortit të saj, Kevin Federline, i cili në librin e tij të ri me kujtime “You Thought You Knew” ka shprehur shqetësimet për sjelljen e këngëtares që prej përfundimit të kujdestarisë ndaj Spearsit nga një ekip i kryesuar nga babai i saj, në vitin 2021.

“Me daljen e lajmeve nga libri i Kevinit, ai dhe të tjerë po përfitojnë përsëri nga ajo, dhe fatkeqësisht kjo po ndodh pasi pagesat e alimentacionit kanë përfunduar. Ajo kujdeset vetëm për fëmijët e saj, Sean Preston dhe Jayden James, dhe për mirëqenien e tyre gjatë gjithë kësaj zhurme mediatike. Britney e ka rrëfyer udhëtimin e saj në librin me kujtimet e veta”, ka thënë një përfaqësues i Spearsit për NBC News, ka raportuar Today.

Ky reagim ka ardhur pas intervistës që Federline e ka dhënë për The New York Times.

Në disa pjesë të librit të publikuara nga The New York Times, ish-valltari, shkruan se shumicën e gjërave për sjelljen e ish-bashkëshortes i ka mësuar nga dy djemtë e tyre. Ai pretendon se gjatë adoleshencës, djemtë i kishin thënë se “nuk donin të ktheheshin në shtëpinë e Spearsit për disa arsye”, duke përfshirë një rast kur ajo “shfaqej natën në derë me një thikë në dorë, duke i shikuar teksa flinin”.

Federline, i cili dikur ishte valltar i saj në skenë, tha gjithashtu se nuk ka folur me Spearsen prej vitesh, por është bërë gjithnjë e më i shqetësuar për të.

“E vërteta është që kjo situatë me Britneyn më duket sikur po shkon drejt diçkaje të pakthyeshme. Është e pamundur të shtiremi sikur gjithçka është në rregull. Nga aty ku e shoh unë, ora po troket dhe po afrohemi në minutat e fundit. Diçka e keqe do të ndodhë nëse gjërat nuk ndryshojnë, dhe frika ime më e madhe është që djemtë tanë do të mbeten me pasojat”, ka shkruar ai në libër.

Në një intervistë për Entertainment Tonight, ai mohoi që libri të jetë shkruar për përfitime financiare.

“Si baba, jam i tmerruar se një ditë mund të zgjohem dhe djemtë e mi do të duhet të përballen me diçka të paimagjinueshme”, ka thënë Federline.

Spears dhe Federline u martuan në vitin 2004 dhe u divorcuan në vitin 2007. Sipas dokumenteve gjyqësore, këngëtarja ka paguar mes 20.000 dhe 40.000 dollarë në muaj si mbështetje financiare për djemtë e tyre, Sean Preston (20 vjeç) dhe Jayden James (19 vjeç).

Në vitin 2021, Spears u lirua nga kujdestaria e të atit që kishte zgjatur 13 vjet, pas një beteje të gjatë ligjore. 

“Gjatë kujdestarisë u ndjeva si një robot… por jo vetëm robot, një lloj fëmije-robot. Ishin aq shumë vite që u trajtova si fëmijë, sa po humbja pjesë nga vetja ime. Kujdestaria ma rrëmbeu feminitetin dhe më shndërroi në një qenie, jo në një person”, ka shkruar ajo në librin e saj me kujtime “The Woman In Me”, të cilin e ka publikuar në vitin 2023.

Kujtimet e Spears po përshtaten në një film biografik nga Universal Pictures, me regjisorin Jon M. Chu (Wicked) dhe producentin Marc Platt.

Në vitin 2024, Spears ka përmendur projektin në një postim në rrjetin social X.

“Jam e emocionuar ta ndaj me fansat e mi që po punoj për një projekt sekret me #MarcPlatt. Ai gjithmonë ka bërë filmat e mi të preferuar… qëndroni në pritje”, pati shkruar ajo.