Numri i të ftuarve për intervistim nga Gjykata Speciale po rritet.
Së fundmi ka marrë ftesë Salih Mustafa, i njohur si Cali. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati.
“Sapo mora lajmin që Gjykata Speciale ka dërguar ftesë, si i dyshuar, për veteranin Salih Mustafa - Cali, i cili gjatë kohës së luftës së UÇK-së ka qenë epror i Zonës Operative të Llapit. Edhe ky, si të gjithë të ftuarit tjerë, do të dalin faqebardhë”, ka shkruar Gucati.
Kujtojmë se dje ka marrë ftesë edhe Abelard Tahiri , ministër i Drejtësisë në detyrë nga radhët e PDK-së. Ai e ka ndalur dje telefonin duke mos dhënë detaje rreth kësaj ftese, por kryetari i partisë, Kadri Veseli, i ftuar në Rubikon të KTV dje e konfirmoi këtë.
E gjatë javës së kaluar, ftesa morën edhe Fadil Beka, Fatmir Sopi dhe Sejdi Veseli. Beka është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, i njohur si kirurgu i UÇK-së.