Rreth 280 punëtorë të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë mbetur pa kontratë pune, për shkak të mosvazhdimit të kontratave pas një zinxhiri ankesash mes kompanive të sigurimit që kishin aplikuar për tenderin e fundit.
Të martën në mëngjes, një pjesë e tyre u paraqit në zyrat e administratës së QKUK-së për të kërkuar sqarime rreth situatës. Punëtorët e sigurimit fizik u mblodhën së bashku me kryetarin e Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, për ta pritur në një takim ushtruesin e detyrës së drejtorit, Osman Hajdari.
Hajdari u shpreh se në takim me punëtorët nuk duhet të ketë media. E pas përfundimit të takimit, Hajdari doli u deklarua se Policia e Kosovës do të mbulojë sigurinë fizike deri në përfundimin e procedurave për kontratën e re.
“Nuk bën me manipulu ju si media dhe askush. Ne si QKUK kemi pasur një kontratë të negociuar për punëtorët fizikë të sigurimit. OSHP, mbas dy muajve, ka sjellë një vendim që kërkon nga QKUK-ja me ndërpre kontratën. Si drejtor, natyrisht që jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e OSHP-së dhe i kam dhënë afat kompanisë deri më 21 qershor. Gjatë kësaj periudhe ka bërë ankesë te Gjykata Komerciale. Gjykata ka kërkuar prej neve me vendos masa të përkohshme dhe me padinë që ka ngritur nga kompania. Deri tani nuk kam asnjë vendim nga Gjykata. Gjatë kësaj kohe kemi bërë një kontratë tjetër. Kam kërkuar nga Policia që deri në një kontratë të re të qëndrojnë. Prej sot edhe në formë fizike policia ka me i vendos pikat kyçe. QKUK ka siguri fizike prej Policisë së Kosovës, pra nuk jemi pa sigurim fizik. Prej momentit ku nuk ka kontratë për një kompani, as unë si drejtor nuk kam të drejtë të kërkoj të qëndrojnë në QKUK. Janë vendosur Policia e Kosovës. Kontrata e re e negociuar është duke u proceduar, nesër ne kemi një kontratë të nënshkruar me një operator. Deri në momentin kur finalizohet kontrata e re, Policia e Kosovës do të sigurojë siguri në QKUK,” deklaroi Osmani.
Ndërkohë, kryetari i sindikatës në QKUK, Hakif Sylejmani, ka shprehur shqetësimin për punëtorët që kanë qenë të pambrojtur dhe pa uniforma për tri ditë rresht.
“Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar nëpër pika. Ne pa kontratë nuk mund të jemi në punë, të na ofrojnë garanci që me këta punëtorë të vazhdoj të punoj. QKUK është institucion i lartë, kurse punëtorët janë pa uniformë. Kjo është e çuditshme”, ka theksuar Sylejmani.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët do të qëndrojnë në shtëpi derisa të nënshkruhet kontrata e re.
“Të gjithë ata punëtorë do të qëndrojnë në shtëpi deri të bëhet kontrata. Ne tanimë nuk duam t’i shërbejmë askujt, ky është interes individual, kompanitë po shtyhen mes vete”, ka thënë Azemi.
Në mars të këtij viti, kontrata për sigurimin fizik ishte dhënë përmes procedurës së negociuar, mirëpo ky vendim u kontestua nga operatorë të tjerë ekonomikë.
Si rezultat, në fund të muajit maj, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) vendosi ta ndërpresë kontratën me kompaninë fituese.
Rasti tani ndodhet në Gjykatën Komerciale, pas ankesës së kompanisë së përjashtuar nga tenderi. Megjithëse QKUK-ja ka kërkuar që lënda të trajtohet me prioritet, vendimi i gjykatës nuk është marrë ende, tashmë që kanë kaluar tri javë nga dorëzimi i padisë.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka thënë se secila kompani që zgjidhet nga QKUK-ja për sigurim fizik, e ka obligim të marrë në punë punëtorët aktual dhe “asnjëri nga ta nuk do të mbetet pa punë”.
“Ashtu siç ka obliguar OSHP, QKUK me datën 21 qershor 2025, ka shkëputur kontratën për sigurim fizik të objekteve. Sa i përket çështjes së punëtorëve, secila kompani që zgjedhet, apo kontraktohet nga QKUK, për sigurim fizik, e ka obligim të marrë në punë punëtorët aktual, asnjëri nga ta nuk do të mbetet pa punë. Lënda është në Gjykatën Komerciale, por edhe pse kanë kaluar disa javë, nuk ka ndonjë vendim lidhur me të”, thuhet në reagimin e bërë në Facebook.
SHSKUK-ja ka shkruar se janë ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të lidhur kontratë të re.
E kompania që ka qenë deri tash e kontraktuar nga QKUK-ja, “Skyfterat-Live”, e kanë vlerësuar vendimin e OSHP-së si të padrejtë dhe të pabazuar, “prandaj kemi ndërmarrë hapin ligjor për të dorëzuar padi në Gjykatën Komerciale, duke kërkuar rivlerësim të drejtë dhe të paanshëm të rastit”.
“Pavarësisht se padinë e kemi dorëzuar më datë 27.05.2025 (brenda afateve ligjore), dhe data 21.06.2025 ishte kufiri për ndërprerjen e kontratës, Gjykata ka vonuar marrjen e vendimit, duke e pranuar përfundimisht më 23.06.2025. Si rrjedhojë, është krijuar një vakum i pajustifikuar dhe i rrezikshëm prej së paku 2 ditësh pa sigurim fizik në QKUK, dhe ky vakum do të zgjatet edhe disa ditë të tjera për shkak të procedurave të reja të prokurimit që QKUK është e detyruar t’i ndjekë tashmë”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas kompanisë, QKUK-ja ka qenë plotësisht e kënaqur me shërbimet e tyre, të cilat kanë përfshirë menaxhimin me efikasitet të lartë të incidenteve të ndryshme dhe situatave të ndjeshme në hapësirat spitalore.
“Dëshirojmë të theksojmë qartë për publikun se:
- Ndërprerja e kontratës nuk ka ardhur për fajin tonë.
- Kemi zbatuar të gjitha detyrimet kontraktuale në mënyrë të rregullt dhe profesionale.
- Kemi ofruar një shërbim cilësor që ka ruajtur sigurinë e stafit mjekësor, pacientëve dhe pajisjeve milionëshe të institucionit.
- Vakumi i krijuar është pasojë e vonesës së vendimeve institucionale dhe jo e ndonjë neglizhence nga ana jonë”, thuhet në reagimin e tyre.