Malishevë, 10 janar - Rruga që lidh fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës ka më shumë se dy ditë që është bërë e pakalueshme. Asfalti i një pjese të kësaj rruge është shkatërruar për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut ditëve të fundit dhe ujit të rrëmbyeshëm të lumit Mirusha. Fuqia e ujit e ka vërshuar edhe bazën nën asfalt, që ka rezultuar me daljen e gypave të kanalizimit në sipërfaqe. Asfalti i kësaj rruge 4 kilometërshe që është ndarë në copë, ka kushtuar plot 267 mijë euro dhe ende nuk janë bërë 1 vit prej kur kanë përfunduar punimet.
Rruga Rud-Sferkë ishte financuar nga Ministria e Infrastrukturës me participim prej 40 mijë eurove nga Komuna e Malishevës. Për ndërtimin e saj kanë qenë të kontraktuara dy kompani, REA sh.pk. dhe Euroasphalt sh.p.k. Nga Komuna e Malishevës, e cila ka qenë edhe udhëheqëse e procedurave tenderuese kanë thënë se nuk dyshojnë në punën e kompanive kontraktuese porse megjithatë do të vlerësohet situata.
Sipas zëdhënësit të Komunës, Artan Paçarizit, është ende herët të vlerësohet nëse shiu ka qenë shkaktari i vetëm për prishjen e rrugës apo shkak ka qenë edhe projektimi i dobët i saj nga kompanitë kontraktuese. Por, sipas tij, të gjithë ata që kanë pasur kompetenca mbi ndërtimin e kësaj rruge do të thirren në përgjegjësi.
“Komuna do të kërkojë ekspertë të fushës edhe të emergjencave por edhe të infrastrukturës të cilët do të vlerësojnë nëse dëmi është shkaktuar si pasojë e reshjeve apo si pasojë e projektimit të dobët të rrugëve. Nëse ka dyshime për një gjë të tillë ata që janë përgjegjës do të japin përgjegjësi”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, nga Komuna e Klinës të cilët ndajnë të njëjtën rrugë me Malishevën, kanë theksuar se struktura e asaj ane i predispozohet shumë ujit dhe kërkon ndërtimin e një ure për të parandaluar dëmet që mund të sjellin sërish reshjet atmosferike. Drejtori i Urbanizimit në këtë Komunë, Lorenc Marleku, kanë thënë se është e rëndësishme që sanimi i rrugës të parashihet nga ekspertë të fushës dhe të merren masa që të mos përsëriten dëmet e njëjta.
‘Ekspertët bashkë me arkitektë duhet të japin një mendim të saktë se si të punohet që të mos prishet sërish ajo rrugë. Duhet të jetë urë apo çkado tjetër që është e qëndrueshme dhe nuk e lejon dëmin e njëjtë që ka ndodhë tash”, ka thënë Marleku.
Ai ka thënë se nga Komuna janë të gatshëm që të ndihmojnë në sanimin e rrugës Rud-Sferkë.
“Komuna e Klinës do të jetë e gatshme që edhe me mjete buxhetore të ndihmojë në sanimin e kësaj rruge”, ka shtuar ai.
Rrugën e dëmtuar mes Malishevës dhe Klinës të dielën e ka vizituar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Haradinaj ka thënë se dëmet infrastrukturore nga këto përmbytje mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jo cilësore.
“Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk i kanë përmbushur kontratat sa i përket cilësisë së punës”, ka thënë ai.
Për të marrë shpjegime të detajuara rreth ndërtimit të kësaj rruge Koha ka provuar, por nuk ka arritur të kontaktojë me Kompaninë kontraktuese REA dhe me Ministrinë e Infrastrukturës.