Arbëri

Rreth 1 mijë e 500 pacientë në pritje për trajtim në Kardiologji

kardiologji

Pacientët me probleme në zemër vazhdojnë të figurojnë në listat e gjata të pritjes në Klinikën e Kardiologjisë. Aktualisht, në radhë për trajtim janë rreth 1 mijë e 500 pacientë. Tek e arsyetuan situatën, në Klinikë kanë treguar se operojnë me vetëm dy salla dhe aparatura, e njëra prej të cilave shpeshherë është me defekte

Rreth 1 mijë e 500, është numri i pacientëve në pritje për procedura invazive në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.

Kardiologu Daut Gorani ka thënë se këtë situatë e ka prodhuar pandemia, por edhe mungesa e herëpashershme e materialit.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se lista e pritjes është më e vogël, meqë thotë se 30 për qind e pacientëve nga lista e pritjes nuk paraqiten pas ftesës.

“Ne nuk mund ta përcjellim kurrë saktë se sa është lista e pritjes për arsye se lëviz numri. Diku 1500, por në esencë nga ky numër realisht mund të jenë diku 400-500 persona duke pritur për procedura invazive. Natyrisht për procedura intervente është më e shkurtër për stentime, ndërsa për procedura diagnostike është pak më e gjatë”, ka thënë Gorani.

E disa pacientë në kushte anonimiteti i kanë thënë KOHËS se, për të bërë koronarografi, Klinika e Kardiologjisë aktualisht është duke i thirrur pacientët e regjistruar në muajin tetor të 2021.

Gorani ka thënë se janë duke punuar për të zhdukur listën e pritjes, teksa ka theksuar se kanë mungesë të infermierëve. Këtë vit u janë larguar gjashtë infermierë për në Gjermani.

“Në krahasim me vitin e kaluar ne kemi realizuar diku mbi 1 mijë procedura diagnostike më shumë dhe kemi kryer mbi apo afër 700 procedura intervente më shumë se vitin e kaluar. Domethënë është një numër i jashtëzakonshëm. Këto shifra tregojnë se ne gati mesatarisht i kryejmë 10 procedura në ditë në sallën e kateterizimit”, ka thënë Gorani.

Në Klinikë ka thënë se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve me incidente kardiovaskulare, dhe se në mungesë të dy llojeve të stentave, ishte ndërprerë përkohësisht thirrja e pacientëve në listë të pritjes. Por kanë paralajmëruar se nga java e ardhshme do të rifillojnë thirrjet.

“Kemi nevojë edhe për një ose dy aparate gjithsesi që natyrisht do të na ndihmonte shumë të zvogëlohej lista e pritjes në mënyrën më të suksesshme meqenëse tani punojmë edhe elektrostimulimin edhe elektrofiziologjinë dhe kjo natyrisht do ta rriste vëllimin e punës sonë dhe do t’i zvogëlonte kërkesat e pacientëve”, ka thënë Gorani.

KOHA pati raportuar edhe në shkurt të këtij viti se si pacientët presin një vit për të kryer një koronarografi.

Në shkurt të vitit 2018 ishte raportuar se ishte arritur të hiqet në tërësi lista e pritjes së pacientëve në Shërbimin e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, pas punës intensive 24-orëshe në 7 ditë të javës.

Në SHSKUK kanë thënë se është hartuar një plan për reduktimin e listave të pritjes, por kanë theksuar se sfidues është numri i vogël i anesteziologëve.

“Një komision në kuadër të QKUK-së, ka punuar për të hartuar një plan sa i përket reduktimit të listave të pritjes në klinika. Sa u përket degëve kirurgjike, sfidues do të jetë numri i vogël i anesteziologëve, por do të shikohen mundësitë për riorganizim të shërbimeve”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.

As në SHKUK e as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë folur për mundësinë e rikthimit të shërbimit 24-orësh në këto klinika siç ishte katër vjet më parë, kur lista e pritjes ishte reduktuar në zero.

Listë të gjatë të pritjes për shërbime të ndryshme ka edhe në Klinika të tjera. Në Klinikën e Radiologjisë pacientët për një rezonancë magnetike do të presin deri në fund të vitit të ardhshëm. E në Klinikën e Ortopedisë për vendosjen e protezave janë duke thirrur pacientët nga lista e vitit 2018.