Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët presin një vit për koronarografi

Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, radha për të kryer koronarografi dhe shërbimet për stenta është e gjatë. Disa pacientë në mënyrë anonime treguan se janë duke pritur për këto shërbime që nga maji i vitit të kaluar. E lidhur me këtë, në SHSKUK kanë thënë se janë duke punuar në zvogëlimin e tyre, por nuk kanë dhënë më shumë detaje dhe nuk kanë lejuar as qasje në klinikat ku pacientët regjistrohen në listat e pritjes

Një fletore shënimesh ka zënë vend tash e sa kohë në sportelin e shërbimit të Kardiologjisë Invazive. Mbi katrorët e vegjël, aty janë shkruar me stilolaps ngjyrë të zezë e herë pas here me të kuqe emrat e qindra pacientëve të cilët duhet të presin për caktimin e terminit për kryerjen e koronarografisë, një ekzaminim që siguron një pamje të hollësishme të enëve që furnizojnë me gjak zemrën, nëpërmjet përdorimit të rrezeve X.

Fletorja tashmë me shumicën e fletave të mbushura, me listën që nuk i shihet fundi, është regjistri i pacientëve anë e mbanë Kosovës që kanë lënë këtu të dhënat e tyre që nga viti 2021 për kryerjen e këtij ekzaminimi në QKUK.

E këta pacientë, dita-ditës, presin një thirrje nga klinika, për ta kryer shërbimin mjekësor që u duhet.

Disa prej tyre, nga gjendja e rënduar shëndetësore, pa pranuar fare thirrje nga personeli shëndetësor, këtë të premte kanë vizituar Klinikën për t’u interesuar për fatin e terminit të tyre.

Një pacienti, kjo vizitë ia pakësoi shpresat.

Edhe Ndërrim rolesh, Spitali i Prizrenit furnizon SHSKUK-në me stenta Arbëri 1 j. më parë Ndërrim rolesh, Spitali i Prizrenit furnizon SHSKUK-në me stenta

Ai që kishte shkruar emrin në këtë fletore më 14 janar të këtij viti, nga sporteli i kishin thënë se janë duke thirrur pacientë që kanë lënë termin nga muaji maj i vitit të shkuar. I kishin thënë se, vetëm nëse ka probleme shëndetësore të drejtohet përmes emergjencës në mënyrë që të mund ta kryejë më shpejt.

E për këtë arsye, shumë pacientë thonë se u detyruan që ta kryejnë këtë shërbim në klinika private.

Ata në kushte anonimiteti kanë treguar për rastin dhe gjendjen shëndetësore të tyre.

Një familjare e një pacienti, që është duke pritur me muaj për kryerjen e koronarografisë, tregon për këtë gjendje dhe thotë se nuk mund të flasë publikisht pasi frikësohet se një gjë e tillë mund t’i sjellë probleme shtesë me terminin.

Derisa gjendje të njëjtë ka treguar edhe një pacient tjetër. Ai ka thënë se ani se nuk e ka gjendjen shëndetësore të mirë, pa arsye i është shtyrë termini qe tri herë, si për koronarografi, ashtu edhe për stentë.

Edhe QKUK-ja kërkon staf shtesë, SHSKUK-ja nuk i premton Arbëri 2 j. më parë QKUK-ja kërkon staf shtesë, SHSKUK-ja nuk i premton

“Prej qershorit termin kam bërë. Ata këndë e shtinë në vend temin, çka bajnë... Me kanë me rregullore, qe 8 muaj ditë apo 9 muaj, sa po i bie qershori, moti ish krye”, ka thënë ai.

Listë e gjatë e pritjes është raportuar edhe në klinika të tjera. Posaçërisht në klinikat e Ortopedisë, të Oftalmologjisë dhe të Radiologjisë.

Edhe pandemia COVID ka ndikuar që herë pas here të pezullohen shumica e shërbimeve gjatë kësaj periudhe, por edhe pse tanimë situata është stabile, ende vazhdon që gjendja të jetë e rënduar.

Për këto lista nuk kanë dhënë shumë detaje në QKUK. Nga ky institucion kanë kthyer vetëm përgjigje me shkrim, duke thënë se janë duke punuar në shkurtimin e kohës së pritjes së pacientëve.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së dhe menaxhmenti, para disa muajve kanë kërkuar listat e pritjes për të gjitha klinikat në QKUK, e po ashtu planin për zvogëlim të këtyre listave. Të gjitha klinikat kanë dorëzuar listat, janë analizuar dhe po punohet për zvogëlim të këtyre listave të pritjes. Aktualisht, në të gjitha klinikat e QKUK-së është duke u punuar me kapacitete të plota”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.

Edhe SHSKUK-ja arsyeton listat e pritjes me mungesë të anesteziologëve, disa klinika e mohojnë Arbëri 2 muaj më parë SHSKUK-ja arsyeton listat e pritjes me mungesë të anesteziologëve, disa klinika e mohojnë

Brenda dhjetë ditësh, KOHA ka dërguar tri herë kërkesë për të zhvilluar intervista me drejtorët dhe për t’i vizituar klinikat, por SHSKUK-ja nuk ka dhënë miratim për këtë.

Në shkurt të vitit 2018 ishte raportuar se ishte arritur të hiqet në tërësi lista e pritjes së pacientëve në Shërbimin e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, pas punës intensive 24-orëshe në 7 ditë të javës. Por, më vonë gjërat kanë ndërruar. Aktualisht, ka pacientë që më shumë se një vit presin për një shërbim, që tre vjet më parë kryhej brenda ditës.