Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rogers: Shtetet mosnjohëse, pengesë kryesore për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në nder të Epopesë së UÇK-së

Foto: Driton Paçarada

Raportet diplomatike me katër shtetet e NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës mbeten sfida kryesore në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë, ka thënë ish-oficeri amerikan i aviacionit të Korpusit të Marinës, Philippe Rogers. Ai ka theksuar se, megjithatë, për Forcën e Sigurisë së Kosovës ekziston një perceptim pozitiv brenda NATO-s

“Katër shtetet mosnjohëse mbeten pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka deklaruar koloneli amerikan Philippe Rogers, ish-oficer i aviacionit të Korpusit të Marinës, i cili ka marrë pjesë në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Ai ka thënë se në mesin e 32 shteteve anëtare ekziston një perceptim pozitiv për Forcën e Sigurisë së Kosovës, megjithatë ka theksuar se duhet të punohet më shumë në raportet me shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Njerëzit janë pro Kosovës, është një partner fantastik, sigurisht nuk është ende aleat, por kontribuon në shumë misione, është shumë e gatshme të kontribuoj në misione të tjera. Sigurisht janë katër shtete mosnjohëse që janë pjesë e NATO-s, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, këto janë disa pengesa që Kosova duhet t’i tejkalojë menjëherë. Kjo është një çështje e marrëdhënieve diplomatike mes këtyre shteteve”, ka thënë ai. 

Rogers ka theksuar se pavarësisht progresit, Kosovës nuk i është ofruar Plani i Veprimi për Anëtarësim (MAP), program që shërben si udhërrëfyes teknik dhe politik për shtetet që synojnë integrimin në Aleancë

Por koloneli amerikan ka thënë se FSK-ja ka shënuar përparime të rëndësishme drejt konsolidimit si ushtri e rregullt. 

“FSK-ja në disa çështje është shumë vite përpara krahasuar me disa shtete që veçse janë anëtarë në NATO dhe kjo është çështje e madhësisë së ushtrisë. Por çka vërej te komunikimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ajo që po bëjnë me Gardën Kombëtare të Iowas, ajo çfarë po bëjnë me Shtetet e Bashkuara sa i përket IMET (Arsimit dhe Trajnimi Ushtarak Ndërkombëtar) që janë programe që i mundësojnë të ndjekin Universitetet dhe akademitë e stafit. Këto janë çështjet në të cilat Kosova ka bërë punë fantastike”, është shprehur Rogers.

Vitet e fundit Kosova ka rritur kapacitetet ushtarake përmes blerjeve dhe donacioneve nga partnerët ndërkombëtarë.

Në buxhetin për vitin 2026 janë paraparë 216 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, prej të cilave 208 milionë janë të dedikuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në fillim të vitit ministri Ejup Maqedonci ka njoftuar për blerjen e sistemeve të avancuara të raketave antitank “OMTAS” nga Turqia. 

FSK-ja më herët është pajisur edhe me pesë dronë “Bayraktar”, po ashtu nga Turqia, të cilët sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Studimet e Paqes (SIPRI) kanë vlerë 12 në indikatorin TIV-njësi që tregon vëllimin e blerjeve dhe furnizimeve me armë.

Indeks më të lartë në këtë indikator kanë 105 automjetet e blinduara “M-1117 Guardian”, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara, me vlerë 16.8 TIV, sipas të dhënave të SIPRI-t.

NATO numëron 32 shtete anëtare dhe nga to, Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.