Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rizvanolli viziton minatorët e lënduar: Qeveria në dispozicion për çdo përkrahje

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar minatorët që u lënduan të mërkurën në minierën e Trepçës.

Ajo ka shkruar në Facebook se Qeveria është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme për minatorët, derisa ka falënderuar stafin mjekësor të Spitalit së Mitrovicës për kujdesin ndaj të lënduarve.

“Në Spitalin e Mitrovicës, së bashku me anëtarët e Bordit të ndërmarrjes, vizitova Ramadanin e Nysretin, dy minatorët e lënduar në aksidentin e pasdites së sotme në minierën e Trepçës. Përkundër lëndimeve të syve, ata kishin vullnetin e vendosmërinë për ta tejkaluar këtë sfidë e për t'iu rikthyer punës. Gjithashtu pamë nga afër përkujdesjen profesionale e të ngrohtë të Doktoreshës së ndërrimit, Mimoza Shabani, dhe infermiereve të Spitalit të Mitrovicës, dhe i njoftuam të lënduarit dhe stafin mjekësor se Qeveria e Republikës së Kosovës është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme për t'u siguruar që minatorët marrin trajtimin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo iu ka uruar shërim të shpejtë minatorëve të lënduar nga acidi në vendin e punës.

13 minatorë janë lënduar, e dy prej tyre po trajtohen në Spitalin e Mitrovicë.