Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZH), ka njoftuar se kanë rifilluar gërmimet në Shtaval të Serbisë.
Ai i ka thënë KOHËS të enjten se gërmimet në këtë zonë kanë nisur në majin e 2021-s, por tash po vijojnë nën prezencën e KQPZH-së dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
“Pas angazhimit të vazhdueshëm në kuptim edhe të adresimit të kërkesave në kuadër të takimeve të nëngrupeve punuese gjatë këtyre 2 viteve, gërmimet e nisura në Maj të vitit 2021, nga kjo javë , përkatësisht nga data 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin në Shtaval, Sijenicë, në territorin e Serbisë. Të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet tona nga KQPZH dhe IML”, ka deklaruar Gara.
Sipas tij, lokacioni në Shtavall është një nga lokacionet e shumta “që Kosova i ka prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi”.
“Me qellim të ruajtjes së procesit, për detajet tjera, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës do të njoftojë në momentin e parë që mund të kemi gjetje në atë lokacion. Lokacioni në Shtavall, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova ka prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi”, ka shtuar ai.
Në dhjetor të 2022-s, Serbia kishte bllokuar gërmimin në Shtavall.