Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gara për gërmimet në fshatrat e Zubin-Potokut: Nga sot fokusi do të jetë në lokacionin e tretë

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se çështja e personave të zhdukur po vazhdon të trajtohet si çështje prioritare.

Ai në "Interaktiv" të KTV-së ka thënë se gërmimet në fshatrat e Zubin-Potokut tregojnë për angazhimin maksimal lidhur me trajtimin e çështjes së personave të zhdukur. Ka shtuar se sfiduese ka qenë mungesa e informacioneve nga Serbia për vendndodhjen e varrezave masive.

“Në rrethanat në të cilat jemi, duhet treguar të rezervuar për të dhënat që japim. Jemi në javën e tretë dhe çdo ditë është vështirë të përshkruhet puna profesionale dhe përkushtimi maksimal i të gjithë atyre që po punojnë”, ka thënë ai.

Ka shtuar se për momentin në Kalludër dhe Jabukë ka përfunduar procesi i zhvarrosjes dhe fokusi do të jetë në lokacionin e tretë.

Sipas tij, janë edhe një sërë lokacionesh që po shqyrtohen për dyshime për varreza masive.

Edhe Zhvarrosja e mbetjeve të tre personave në Kalludër i jep fund gërmimeve disajavore Arbëri Zhvarrosja e mbetjeve të tre personave në Kalludër i jep fund gërmimeve disajavore

Ai ka thënë se pengesë do të mbetet mosgatishmëria e Serbisë për të hapur arkivat.

Gara ka folur edhe për pezullimin e gërmimeve në Kozhle të Serbisë, duke shtuar se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në vazhdimin e punës atje.

Ai ka thënë se presin nga Serbia t’i caktojë datat për fillimin e gërmimeve në vendet ky dyshohet për varreza masive, ose në vazhdimin e atyre në të cilat janë pezulluar gërmimet. 

Duke folur për mostrat e eshtrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka thënë se jo domosdoshmërisht ato mund të lidhen  me viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Edhe Pritet zhvarrosja e mbetjeve të tre personave në Kalludër Arbëri Pritet zhvarrosja e mbetjeve të tre personave në Kalludër

“Ato janë trajtuar. Një pjesë e mostrave mund të lidhet me familjet që ende nuk kanë dhënë mostrat e gjakut. Në momentin që do të kemi të dhëna të mjaftueshme, do t’i kontaktojmë familjet”, ka shtuar ai.

Të martën e javës së shkuar u zbulua varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, ndërsa të dielën edhe në Jabukë të kësaj komune. Ndërkaq më 7 gusht është konfirmuar edhe lokacioni i tretë.