Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka ndërmarrë sot një aksion simbolik në shenjë proteste ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti.
Forumi rinor i Partisë Demokratike të Kosovës, Rinia Demokratike, e ka quajtur “babadimër” kryeministrin Albin Kurti, në një aksion protestues ndaj veprimeve të Qeverisë.
Sipas RDK-së, Kurti më 2023 ka sjellë vetëm afera, skandale e keqpërdorime.
“Sanksione nga BE-ja dhe SHBA-të”, “Zajednicë dhe autonomi”, “Shtrenjtim i energjisë elektrike 115 për qind”, “Afera Zdravo”, ishin disa nga mbishkrimet që aktivistët e RDK-së i kanë vendosur nëpër paketimet që ngjajnë si dhurata, në protestën e organizuar të shtunën.
Aktivistja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnore Salihu ka thënë se kryeministri Kurti “i ka dëshpëruar qytetarët, duke vepruar në përkeqësimin e jetës dhe funksionimit të shtetit”.
“Sot, së bashku me Rininë Demokratike të Kosovës kemi dalë ta bëjmë balancën vjetore të kryeministrit ose ndryshe siç po e thërrasin ‘babadimër’. Supozohet që babadimri sjell vetëm dhurata të mira, por kryeministri edhe me këtë rol na ka dëshpëruar. Dhuratat, të cilat ia ka sjellë vendit edhe gjatë këtij viti nuk kanë qenë të tjera, përveçse afera skandale, keqpërdorime përmes së cilave përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve dhe funksionimi i shtetit tonë”, ka thënë Salihu./KP