Kryeshefi i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj, ka thënë se plani i mobilitetit në Prishtinë është projekt i jashtëzakonshëm, por që do të implementohet në faza.
Rexhepaj në emisionin “038” të KTV-së shtoi se projekti aktualisht është në faza fillestare.
“Plani i mobilitetit është plan strategjik që komuna e ka ofruar për qytetarët e Prishtinës, por që do implementohet në faza. Është projekt i jashtëzakonshëm, por është në faza fillestare. Na vjen keq që ende nuk është përfunduar projekti i pritoreve, por është pranë implementimit dhe qytetarët nuk do të kenë më probleme për orarin e autobusëve.. Ato detyrat që i takojnë trafikut urban po i kryejmë, ndërsa për të tjera që nuk jemi kompentent, nuk mund të flasim”, tha Rexhepaj.
Ndërsa sa i përket kërkesës së qytetarëve për të lëshuar më shumë autobusë në disa prej linjave kryesore në kryeqytet, Rexhepaj theksoi se të gjithë autobusët janë në qarkullim dhe se një gjë e tillë nuk mund të bëhet aktualisht.
“Të gjithë autobusët janë në qarkullim. Kemi kërkesa të qytetarëve të lëshohen më shumë autobusë, por e sqarojmë se të gjithë autobusët janë në linjë. Nuk mund të shtojmë autobusë për një linjë, sepse dëmtohet linja tjetër. Ne kemi një plan, dhe autobusët funksionojnë sipas këtij plan”, shtoi ai.
Rexhepaj u pyet edhe për linjën e aeroportit, e cila deri tani nuk po del të jetë profitabile.
“Nuk ka qenë profitabile, por nëse e shohim me pozitivet, duhet të funksionojë kjo linjë për ta lidhur aeroportin me qendrën e Prishtinës. Ka qenë edhe premtim i kryetarit Shpend Ahmeti. Për ne, nuk është problem ta ndalim, por do të ishte anomali. Duke marrë parasysh trafikun që kemi, atëherë e humb kuptimin edhe linja e aeroportit nëse kjo linjë vendoset të ndalet edhe nëpër stacionet deri në Fushë-Kosovë”, deklaroi kryeshefi i Trafikut Urban.
Rexhepaj foli edhe për ardhjen e 30 autobusëve të rinj, të paralajmëruar nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Do të vijnë edhe 30 autobusë të rinj. Linjat do të caktohen nga komuna e Prishtinës, por do të jenë për qarkullim të brendshëm, ndërsa për në periferi do t’i lihen operatorëve privat”, është shprehur Rexhepaj.