038

Prishtina dështon në sjelljen e autobusëve të rinj, si shkak bëhet riorganizimi

Që nga 1 janari janë duke funksionuar nën ombrellën e komunës.

Edhe transporti i linjave private që operojnë në territorin e kryeqytetit, do të paguhen për kilometër njësoj sikurse linjat e “Trafikut Urban”.

Ky është viti i fundit i qeverisjes së kryetarit Përparim Rama në kryeqytet dhe premtimi i tij për sjelljen e 30 autobusëve të rinj ku 6 prej tyre do të ishin elektrik, nuk është realizuar ende.

Kësisoj është bërë edhe riorganizimi i linjave private.

Që shanset për ardhjen e autobusëve të rinj janë të vogla e ka pohuar edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.

“E vërteta është që ne nuk jemi palë në blerjen e autobusëve që ajo do të bëhet nga 'TU', më anë të një huamarrje, ne jemi vetëm garantues. Është e paarsyeshme për mua kjo stërzgjatje, që nga koha kur janë premtuar deri më tani. Unë nuk kam ndonjë pritshmëri që kjo gjë do të realizohet shpejt, mirëpo ne jemi në shërbim të qytetarëve pavarësisht asaj që a e realizon ardhjen këtë vit 'TU', apo nuk e realizon. Për këtë gjë ne e kemi bërë hapin e parë dhe i kemi kontraktuar të gjitha linjat ekzistonte në bazë të rregullores së vitit 2006”, tha Brestovci. “Arsyeja se pse po ndodh vonesa e sjelljes së autobusëve, unë realisht nuk e di sepse siç e thash për këtë gjë është përgjegjës 'TU'. Ne nuk jemi të implikuar si Komunë, por vetëm ndërmarrja. Siç shihet nuk i kanë përfunduar parakushtet,  konform kontratës me BERZH-in, me këtë rast do të kishim pasur mundësi që të fillojmë me procedurën e tenderimit. Deri më tani nuk kemi as proces të tenderimit e pastaj ai është një afat kohor jo i shkurtë”.

Opozita në Prishtinë e quan "kamuflim" riorganizimin e linjave. 

Besart Krasniqi nga LVV, thotë që nuk e sheh si zgjidhje afatgjate riorganizimin e linjave.

“Është e vërtetë që për shkak të dështimit të kryetarit Rama në sjelljen e autobusëve ka bërë riorganizimin e linjave private. Po hyjmë në vitin e 4 të qeverisjes së Ramës, ky është munduar që të bëjë riorganizimin e linjave, nuk është diçka që do të bënte zgjidhje afatgjate. Ka ende shumë fshatra dhe lagje të Prishtinës që ende nuk fare linja", tha Krasniqi.

KOHA ka dërguar pyetje edhe te BERZH-i, në lidhje me nënshkrimin e kontratës me Trafikun Urban, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.