Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rexhaj: Ende nuk e dimë çfarë kërkon LDK-ja, emri i Osmanit s’është përmendur asnjëherë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dy emra për president por se në asnjë takim me Lëvizjen Vetëvendosje nuk i ka bërë të ditur. Ai ka theksuar se ende nuk e dinë se çfarë kërkon LDK-ja. 

Rexhaj ka thënë se emri i Vjosa Osmanit nuk është përmendur asnjëherë në asnjë prej takimeve me LDK-në si propozim për presidente. E sipas tij, LDK-ja as nuk ka shprehur se e do postin e presidentit në bisedimet për marrëveshje me LVV-në. 

“Nuk është përmendur fare asnjëherë (Osmani). Ende nuk e kam të qartë se çfarë kërkon LDK-ja, kur del Abdixhiku thotë se ‘çka na ka ofruar LVV-ja nuk është dinjitoze’, çuditem. LDK-së populli i ka thënë që të qëndrojë në opozitë sepse është e treta. Nuk e ka thënë fare se e dua postin e presidentit. Çështja është çka kërkon LDK-ja, ne duhet ta dimë. LDK-ja është bërë si PDK-ja, kur thoshte ‘ne i propozojmë dy emra shkojmë i votojmë ata’, tash këta po thonë ‘ne i propozojmë emrat por merremi vesh paraprakisht’. Kur i thua ti ‘kush janë ata emra’, thonë ‘jo fillimisht duhet të pajtohesh’”, ka thënë ai në “60 Minuta”. 

Rexhaj ka shtuar se LVV-ja ia ka ofruar mundësinë LDK-së që t’i propozojë emrat për president, por që emrat të bëhen publikë paraprakisht. 

“Çka mund të bëjmë për PDK-në është që t’ia ofrojë kryetarin e Kuvendit. Në anën tjetër LDK-së po i themi eja me ne në koalicion, ta zgjedhim një president konsensual. Duke pasur parasysh problemin e LDK-së, në kuptimin që edhe përbrenda ata me vështirësinë më të madhe mund të ulen të vendosin për një emër të veçantë atëherë mund t’i vendosin 2-3 emra dhe pastaj të shkojmë përpara. Mënyra si po shkojmë ne është për ta zgjidhur ngërçin brenda LDK-së”. 

Kuvendi i Kosovës nuk e ka konstituuar ende legjislaturën e 11-të. Të shtunën, kryetari i LVV-së Albin Kurti ka kërkuar prapë kohë shtesë për bisedime ndërpartiake, pasi sipas tij, duhen negociata të mëtejme deri në formimin e institucioneve. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka deklaruar se seanca e radhës do të ftohet kur të ketë marrëveshje mes partive politike. 

Edhe Osmani mbetet propozim i LDK-së për presidente Arbëri Osmani mbetet propozim i LDK-së për presidente

Ndërkohë, deputeti Rexhaj në KTV ka komentuar edhe deklaratën kërcënuese të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për mundësinë e ndërrimit të rrjedhës së lumit Ibër. Ai ka theksuar se një gjë të tillë do të mund ta bënte vetëm nga Kosova, e që ta bënte këtë do të duhej të futej me ushtri. 

“Tentimi për devijimin e ujit nuk mund të bëhet nga Serbia, ajo mund të bëhet në Kosovë mirëpo jo pa i lënë eshtrat Vuçiqi në Kosovë. Sepse nuk mund mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare që ta bëjë këtë gjë në Serbi, atë mund ta bëjë nëse ai tenton të hyjë me ushtri në Kosovë. Krejt ajo që po bën Vuçiqi është që ta shantazhojë Kosovën, të krijojë hapësirë për dialogun në vazhdimësi dhe të kërcënojë”, u shpreh Rexhaj.