Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së në Komunën e Prishtinës, deklaroi të enjten se bartja e buxhetit është bërë praktikë për vite me radhë, derisa shtoi se bartja e sivjetme është më rënduese për shkak të krizës ekonomike.
Ai deklaroi se kjo bartje e fundit ka shkaktuar humbjen e 3.5 milionë eurove nga një grand, që më nuk do të mund të kthehet. Sipas tij, arsye kryesore për bllokim projekteve komunale është bllokimi i Organit të Shqyrtimit të Prokurimit (OSHP).
“Pjesa më e madhe e projekteve të bllokuara është për shkak se është bllokuar OSHP-ja, në të cilin shkojnë ankesat për mosrealizim të projekteve. Kjo gjendje tenton të bëhet edhe më renduese. Ne kemi kërkuar që Komuna t’i ushtrojë të drejtat e saja, dhe të zhbllokohen projektet dhe të bëhet zgjidhje për to. Në mallra dhe shërbime janë 44 projekte të bllokuara, ndërsa të bllokuara janë një numër i madh i investimeve kapitale. Ne kemi kërkuar që të bëhet trysni brenda Komunës, që të kërkojë nga Qeveria ta funksionalizojë bordin e OSHP-së”, deklaroi Retkoceri.
Këshilltari i PDK-së në Prishtinë, tha se qeverisja aktuale ka buxhet të trashëguar, ndërsa sipas tij, në qeverisjen e kaluar nuk është planifikuar mirë buxheti dhe projektet.
“Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë në qeverisjen aktuale, sepse këto projekte dhe planifikime, do të adresohen, që të mund të realizohen. Zgjidhja është zhbllokimi i OSHP-së. Duhet të vjen një propozim nga Qeveria që t’i japë rrugë lëvizjes së projekteve”, tha ai.
Sipas Retkocerit, nëse nuk zgjidhet çështja e OSHP-së, projektet mund të kolapsojnë, e siç potencoi ai, më së shumti do ta pësojë Komuna e Prishtinës.
“Në tremujorin e parë financiar të prezantuar, ka diku 26 për qind më pak të hyra sesa në vitin paraprak. Është një borxh i konsiderueshëm. Vetëm në këtë periudhë ka të rënie të të hyrave. Rrugët e mjeteve që janë për ta kthyer këtë borxh janë të vështirësuara. Rruga e vetme është ajo ligjore, nëpërmjet përmbaruesve”.
Retkoceri potencoi se zgjidhja e zhbllokimit të projekteve kërkon kohë, menaxhim dhe planifikim, “që vitin e ardhshëm të mos ketë bartje të madhe buxhetore”.