Arbëri

Mungon LDK-ja, dështon mbledhja e Komisionit për politikë dhe financa në Prishtinë

Komuna e Prishtines

Foto: Arkiv

Në mungesë të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për politikë dhe financa, në të cilën ishte paraparë që të caktoheshin pikat e rendit të ditës për mbledhjen e Kuvendit të Prishtinës, e cila do të jetë e fundit e rregullt para zgjedhjeve lokale.

Në sallë ishin vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ata kanë kërkuar që në rend të ditës në mbledhjen që do të mbahet të martën, të futen diskutimi për gjetjet e raportit të auditimit dhe buxhetin e Komunës.

Leutrim Retkoceri, nga PDK-ja, ka thënë se Komuna duhet të japë llogari për paratë, që sipas tij, përmbaruesi po ia merr Komunës.

“Unë kam bërë edhe kërkesë për qasje në dokumente zyrtare për ta parë borxhin që Komuna e ka te përmbaruesit, nuk e kam pasur këtë qasje ... Duhet të ketë llogaridhënie nga ana e Komunës së Prishtinës, nesër do ta ngrejë edhe këtë çështje, nuk do të thotë që vetëm pse është fushatë, duhet të diskutohet se pse buxheti i komunës është i bllokuar”, ka thënë ai.

Edhe Gëzim Sveçla, nga LVV-ja ka deklaruar që të martën në mbledhjen e Kuvendit do të kërkojnë që në rend dite ta fusin çështjen e buxhetit të Komunës.