Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtatë nxënës të vrarë e të paktën 99 të plagosur nga shpërthimi në Afganistan

Afganistan

Shtatë nxënës janë vrarë dhe të paktën 99 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim pranë një shkolle në provincën Kunar, në verilindje të Afganistanit, raporton Reuters.

Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të talebanëve, i cili tha se, sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ndodhi në një depo ku ruheshin lëndë eksplozive, në pronësi të kompanive të minierave, pranë shkollës.

Provinca Kunar, e cila kufizohet me Pakistanin, ka disa zona ku zhvillohen aktivitete minerare.

Zëdhënësi Abdul Mateen Qani tha se autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe se do të publikojnë më shumë informacione pasi të përfundojë hetimi.

Në muajin gusht, një tjetër shpërthim në një qendër arsimore në kryeqytetin afgan, Kabul, la të paktën 42 fëmijë të plagosur, sipas Misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan.