LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja bojkoton seancën, ku duhej të miratohej buxheti i Prishtinës për vitin 2026

Në mungesë të asamblistëve të LDK-së dhe AAK-së ka dështuar të mbahet mbledhja e fundit në Kuvendin Komunal të Prishtinës para zgjedhjeve lokale. Në rend të ditës opozita ka tentuar që t’i fusë për diskutim çështjen e buxhetit për vitin 2026, gjetjet e raportit të auditimit dhe borxhin që komuna, sipas tyre, e ka te përmbaruesit. Asamblistët opozitarë kanë thënë se kryetari Rama është duke iu shmangur llogaridhënies

Mbledhja e fundit e përbërjes aktuale të Kuvendit komunal të Prishtinës ka dështuar të mbahet të martën.

Asamblistët e partisë në pushtet, LDK, kanë bojkotuar seancën.

Në sallë të pranishëm nuk kanë qenë as përfaqësuesit e AAK-së, të cilët kanë munguar edhe në komitetin për politikë dhe financa të mbajtur të hënën.

Opozita kishte paraparë që t’i fuste në rend të ditës votimin për buxhetin e bllokuar të vitit 2026 dhe gjetjet e raportit të auditimit.

Gëzim Sveçla, këshilltar i LVV-së, ka akuzuar kryetarin Përparim Rama, duke thënë se ai po iu ik ballafaqimit si dhe llogaridhënies. 

“Sot është seanca e fundit e kësaj legjislature të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Fatkeqësisht, ajo po bojkotohet nga kryetari Përparim Rama dhe subjektet politike që janë në pushtet. Sot është afati ligjor për miratimin e buxhetit të vitit 2025 për Prishtinën, por kryetari Rama mungon. Sot do të duhej të diskutonim Raportin e auditimit, i cili nxjerr në pah keqpërdorimet e shumta të buxhetit gjatë vitit të kaluar – por kryetari Rama i ik ballafaqimit”, ka thënë Sveçla.

E Leutrim Rektoceri nga PDK-ja ka thënë se nga Rama nuk kanë marrë ende përgjigje për miliona eurot e projektit “Arkitekti i Qytetit” dhe projekte të tjera.

“Sot në mbledhjen e fundit të këtij mandati pritej që të kishte debat dhe përgjegjësi për llogaridhënien. Përparim Rama dhe ekzekutivi nuk erdhën as sot, e mbyllën me përbuzje. Kështu kanë qeverisur – ende nuk kemi përgjigje për 12 milionë euro për arkitektin e qytetit dhe gjetjet e auditorit, ato para nuk dihet ku kanë përfunduar. Sot nuk kemi pasur buxhetin për vitin 2026, ne vetëm po shohim ikje nga Përparim Rama”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e së martës, në rend ditës në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë qenë edhe diskutimi për vendimin për shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore dhe transportit urban për punëtorët e Komunës, si dhe emërtimi i rrugëve e hapësirave publike.

Javën e kaluar, kryetari Rama pati thirrur seancë të jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit të vitit 2026, por ajo dështoi në mungesë të kuorumit pasi aty munguan asamblistët e LVV-së e të PDK-së. 
Mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal pritet të mbahet me asamblistë, që do të zgjidhen në zgjedhjet e 12 tetorit.