Megjithëse situata u vlerësua se është nën kontroll, të gjitha institucionet arsimore në Vushtrri nuk e zhvilluan procesin mësimor gjatë ditës së enjte. Nxënësit, mësimet nuk do t’i ndjekin as të premten. Disa shkolla janë vërshuar, e të tjerat, që nuk janë prekur, janë lënë në gjendje gatishmërie për evakuimin e qytetarëve në rast nevoje
Shtabi Emergjent i Komunës së Vushtrrisë konstatoi të enjten se situata është nën kontroll, pasi të mërkurën u shpall gjendje emergjente për shkak të vërshimeve, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
“Situata u vlerësua se është nën kontroll, por që ekipet kujdestare janë në gjendje gatishmërie në rast se do të ketë nevojë për intervenim”, thuhet në njoftimin e komunës.
Megjithëse situata u vlerësua se është nën kontroll, të gjitha institucionet arsimore në Vushtrri nuk e zhvilluan procesin mësimor gjatë ditës së enjte. Nxënësit, mësimet nuk do t’i ndjekin as të premten.
Drejtori i Arsimit, Dardan Abazi, ka thënë se vendimi është marrë pasi disa shkolla janë vërshuar nga uji. Ai ka theksuar se është vendosur që objektet e tjera shkollore t’i lënë në gjendje gatishmërie për evakuimin e qytetarëve në rast nevoje.
“Ka pasur vështirësi edhe në transportin e nxënësve në disa shkolla të tjera, ndërkohë që ato që nuk janë prekur, jemi duke i ruajtur si objekte që eventualisht mund ta bëjnë evakuimin e qytetarëve në to”, ka thënë Abazi. “Për të gjitha këto arsye dhe për sigurinë e nxënësve ne kemi vendosur që ditën e sotme dhe të nesërme të ndërpresin procesin mësimor në Komunën e Vushtrrisë, në mënyrë që këto ditë t'i zëvendësojmë me ditë të tjera”.
Drejtoresha e shkollës fillore “Naim Frashëri”, Valbona Drejta, ka thënë se prindërit kanë qenë të shqetësuar për sigurinë e nxënësve, pasi oborri i shkollës është vërshuar në mëngjesin e së enjtes.
“Mbrëmë (e mërkurë v.j.) kam pasur thirrje prej prindërve dhe kanë qenë të shqetësuar se a do të mbahet sot mësimi, se pjesa ku vijojnë nxënësit e shkollës sonë ka qenë e bllokuar realisht. Unë jam përpjekur në ora 10 të mbrëmjes që të shkoj në shkollë, deri diku kam arritur, por nuk kam mundur të hyj se ka qenë e pakalueshme rruga”, ka thënë ajo. Sipas saj, uji nuk ka depërtuar edhe brenda objektit.
Drejtoresha Drejta ka theksuar se me ndihmën e komunës kanë arritur që ta largojnë ujin nga oborri dhe se janë të gatshëm ta fillojnë procesin mësimor kurdo që Drejtoria e Arsimit e vlerëson se nuk cenohet më siguria e nxënësve.
Në shkollën fillore të mesme dhe të ulët “Bajram Curri” në fshatin Dumnicë, reshjet e shiut kanë depërtuar edhe brenda objektit, duke i bërë jofunksionale disa klasa.
Të mërkurën, Komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendje emergjente për shkak se lumenjtë Podranqa dhe Tërstena dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të shiut.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar para katër ditëve se gjatë javës vendi mund të përballet me vërshime.
“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim sidomos në: pjesa veriore: pellgu i Ibrit (sistemet lumore të: Ibrit, Sitnicës Llapit, Drenica etj.) ku probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: është 20 %, ndërsa 5-vjeçare: 24 %”, thuhet në njoftimin e IHK-së.