Reshjet e shiut që kanë nisur nga mbrëmja e së dielës dhe kanë vazhduar edhe gjatë ditës së hënë kanë shkaktuar vërshimet në disa fshatra të komunës së Podujevës. Uji që ka dalë nga përroskat e lumenjtë në disa vende ka depërtuar edhe nëpër oborret e shtëpive, siç është rasti në fshatin Gllamnik.
Në përgjigjen e Zyrës për Informim të Podujevës thuhet se kompania e kontraktuar për raste emergjente është në terren duke intervenuar.
“Vërshime nga reshjet e fundit ka pasur në pendat e ujitjes në fshatrat Repë, Metehi dhe Dobërdol. Gjithashtu vërshimet kanë përfshirë zona të caktuara në Peran, Gllamnik dhe në disa lagje të qytetit e përreth qytetit. Kompania e cila ka kontratë për situata emergjente është në terren duke sanuar disa prej dëmeve të shkaktuara”, thuhet në përgjigjen e Zyrës dërguar KOHËS.
Sipas të njëjtës, tash për tash nuk mund të flasin për dëme, pasi Komisioni për evidentimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore ende nuk ka arritur t’i identifikojë dëmet që janë shkaktuar në terren.
{gallery}