Reshjet e borës dhe erërat e forta kanë shkaktuar vështirësi në disa rrugë të Kosovës. Në Prishtinë është raportuar se ka pasur edhe lisa të rrëzuar. Qytetarët janë ankuar për reagim të ngathët të ekipeve që mirëmbajnë rrugët. E zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe ata të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë se ekipet janë angazhuar në terren që nga mëngjesi dhe se të gjitha rrugët janë të kalueshme
Disa lisa janë rrëzuar si pasojë e erërave të forta në mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, e po ashtu edhe disa rrugë të saj janë bërë zor të kalueshme nga reshjet e borës.
Xhelil Zullufi, banor në rrugën “Kamer Loshi” në “Kodrën e Trimave”, ka treguar se të martën në mëngjes rruga para shtëpisë së tij ishte e pakalueshme me veturë. Ai ka thënë se deri në mesditë askush nga ekipet për pastrimin e rrugëve nuk ka qenë në lagjen e tij.
“Djali në këmbë ka shkuar në punë, sepse s’ka pasë shans me dalë. Nuk dalin t’i pastrojnë këto rrugë edhe kur është sezoni i dimrit. Vetëm kur bëhen kërkesa dalin e qesin një sasi të kripës dhe ikin”, është shprehur Zullufi.
E Bahri Kastrati, banor i fshatit Shkabaj, ka thënë se edhe punimet që janë duke u bërë në rrugën afër shtëpisë së tij po e bëjnë të vështirë qarkullimin.
“S’kemi pa askënd, boll zor është e kalueshme. Nja dy rrugë i kemi të kalueshme, por me shumë probleme...”, ka theksuar ai.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, ka thënë se ekipet janë në terren me 100 makineri dhe se ato kanë bërë të mundur qarkullimin. Ai ka bërë të ditur se që nga ora 7 e mëngjesit të gjitha rrugët kanë qenë të kalueshme.
“Zonat të cilat kanë qenë më problematike janë ‘Arbëria’, ‘Dragodani’, por edhe ‘Kodra e Trimave’, që kemi pasur më tepër thirrje, për shkak edhe të infrastrukturës në këto lagje nuk është e mundur me hy me të gjitha llojet, modelet, tipat e kamionëve. Andaj kemi përgatitur një plan të veprimit me disa kamioneta, të cilat kanë reaguar në kohë”, ka thënë Musliu.
Ai tha se situata ka qenë e kontrollueshme.
“Në çdo 30 minuta deri 1 orë kemi pranuar raportime nga terreni dhe të gjitha rrugët kanë qenë të kalueshme dhe situata gjithmonë ka qenë nën kontroll dhe e menaxhueshme”, ka shtuar Musliu.
Probleme kanë shkaktuar edhe erërat e forta në Prishtinë. Një lis i rrëzuar bllokoi rrugën “Hamëz Jashari” në Parkun e Qytetit. I bllokuar ka qenë edhe Parku i Taukbahqes.
Një punëtor i një pompë benzine, ku është rrëzuar lisi në Parkun e Qytetit, tregon se si ka qenë fat që askush nuk ka rastis afër kur është rrëzuar lisi.
“Kam qenë duke punuar edhe garant prej borës që ka ra edhe janë rëndu lisat edhe ka ra... Të rrezikum ndihemi edhe prej rrymës, edhe prej pemëve”, u shpreh punëtori i pompës së benzinës, Altin Vrella.
E pas rrëzimit të lisave punëtorë të ndërmarrjes “Hortikultura” të martën nisën me prerjen e disa degëve të tyre që mendohet se përbëjnë rrezik për qytetarët.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook, bëri thirrje që të mos frekuentohen parqet e qytetit për shkak të rrëzimit të drurëve.
Ndërsa një qytetar ka këshilluar që të bëhet vlerësimi para se të vendoset se cilët drurë të priten.
“Ky park është fryma e qytetit të Prishtinës, këtu duhet me pasë shumë kujdes që të mos dëmtohet, por të mirëmbahet”, ka thënë Ismet Muja.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë se të gjitha rrugët nacionale, rajonale dhe autoudhët janë të kalueshme. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, vështirësi në qarkullim ka vetëm në rrugën Podujevë-Kërpimeh. Nga kjo ministri rekomanduan që shoferët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së veturave.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga e marta deri të premten do të mbajë mot i ndryshueshëm.