Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa lisa të rrëzuar në Prishtinë pas erërave të forta, një rrugë e bllokuar

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se si pasojë e motit të keq të përcjellë me erëra të forta gjatë natës së mbrëmshme dhe reshjeve të mëdha të shiut dhe borës ka pasur rrëzim të lisave në disa lokacione në kryeqytet, kryesisht në Parkun e Qytetit, Parkun e Taukbashçes, në rrugët “Perandori Justinian”, “Agim Ramadani”, dhe rrugën Germi-Butovc.

Sipas njoftimit, ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të kryeqytetin kanë dalë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit në koordinim me NPL “Hortikultura”, njësitin e zjarrfikësve të kryeqytetit dhe Policinë e Kosovës.

“Për momentin rruga te Parku i qytetit është e bllokuar për qarkullim dhe ekipet janë duke punuar për lirimin e rrugës nga drunjtë e rrëzuar. Lusim qytetarët që të mos frekuentojnë këto rrugë dhe posaçërisht parqet e qytetit për shkak të rrezikut nga drunjtë e rrëzuar deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në koordinim me të gjitha drejtoritë komunale është duke punuar gjatë gjithë kohës.