Arbëri

Rektorati ankohet: Prakingu nëntokësor ktheu kampusin në vendpunishte

Në vendpunishte është kthyer hapësira e Kampusit Universitar të Prishtinës.

Për çdo ditë studentët përballen me zhurmat e kamionëve dhe buldozerëve, të cilët po punojnë për ndërtimin e parkingut nëntokësor në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Përveç kësaj, atyre po u mungon edhe hapësira të cilën deri në përfundim të parkingut nuk mund ta shfrytëzojnë për ecje.

Madje kjo e ka dëmtuar shumë kampusin universitar.

Kështu thotë rektori i universitetit “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, i cili i bën thirrje Komunës që sapo të përfundojnë punimet të kthehet në gjendjen e mëparshme hapësira prej 1.7 hektarësh.

“Kampus si rezultat i parkingjeve nëntokësore. Kemi marrë njoftimin se ky parking do të përfundojë në korrik dhe ne urojmë dhe ftojmë komunën e Prishtinës që të restauroj atë pjesë e cila do të sjellë qarkullim normal, pasi është dëmtuar shumë”, tha Sahiti.

Pos parkingut, ata kanë probleme edhe të tjera.

Janë qentë endacakë të cilët kanë gjetur strehim në oborrin e këtij universiteti.

Situata vështirësohet pasi që ndriçimi publik nuk po funksionon.

“Jemi duke bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës që sa më shpejt të lëvizin përpara për evitimin e qenve endacak dhe sjellin vështirësi në lëvizjen e studentëve. Edhe ndriçimi është një gjë që sjellë vështirësi”, tha Sahiti.

Studentët dhe stafi i këtij universiteti thonë se ndihen të rrezikuar, sidomos gjatë natës pasi ndriçimi publik nuk po funksionon.

Nga Komuna thonë se ky projekt pritet të përfundojë në korrik të këtij viti dhe se ai do të gjelbërohet siç është paraparë me projekt.

“Sipas planit dinamik të paraparë, parkingu nëntokësor pritet të përfundojë në muajin korrik 2022, andaj nuk ka ndonjë vonesë. Gjithashtu, sipërfaqja mbi parkingun nëntokësor do të gjelbërohet sipas projektit të detajuar për shfrytëzim nga qytetarët”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor kanë filluar në tetor të vitit 2020, megjithëse kontrata është nënshkruar në vitin 2019.

Sipas kontratës, afati i paraparë për përfundimin e tyre janë 24 muaj.

Parkingu parashihet të ketë 23000 metra katrorë hapësirë, 2 kate me nga 11 mijë e 500 metra katrorë dhe përafërsisht me 700 vend parkime.

Pjesa e sipërme e parkingut nëntokësor parashihet të jetë hapësirë e organizuar me gjelbërim dhe për aktivitete rekreative për qytetarët.