Vetëm tre vjet pas përurimit të një investimi rreth 10-milionësh, hapësira mbi parkingun nëntokësor pranë Fakultetit të Filologjisë në kampusin e Universitetit të Prishtinës është dëmtuar në disa vende. Në kompaninë “Parking Center Prishtina” kanë premtuar rregullimin e këtyre dëmeve. Ata kanë thënë se dëmtimet janë shkaktuar nga vetura e motorë, për çka theksuan se kanë njoftuar edhe Policinë
Elda Islami
Shkallët pranë Fakultetit të Filologjisë në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP) janë dëmtuar. E përveç tyre, edhe pllaka mbi parkingun nëntokësor janë kryesisht të dëmtuara, e në shumë pjesë nuk ka mirëmbajtje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër këtë projekt në vitin 2022 janë investuar rreth 10 milionë euro përmes partneritetit mes Komunës së Prishtinës dhe “Parking Center Prishtina”.
Një numër qytetarësh vlerësojnë se pothuajse të gjitha punët kryhen në mënyrë jo të duhur, dhe kërkojnë masa për riparimin e tyre.
“A kanë filluar me u dëmtu? Punë veç hajt shkel e shko. Kemi punu diçka edhe u kry puna. Qytetari nuk ka faj, nuk u shku qytetari me ia heq ngjyrën, por puna e dobët hajt shkel e shko, me iu dalë sa ma lirë”, thotë Ismet Gashi.
Edhe një tjetër qytetar shpreh kritikë për kualitetin e punimeve.
“Çdo objekt që shfrytëzohet ka mundësi të dëmtohet, por problemi është të mos lejojmë që këto dëmtime të qëndrojnë gjatë. Duhet të riparohen sa më shpejt”, ka thënë Lulzim lajçi.
Në kompaninë “Parking Center Prishtina” kanë premtuar rregullimin e këtyre dëmeve, ndonëse thonë se marrëveshja nuk parasheh mirëmbajtjen e kësaj hapësire.
Sipas tyre, pjesa e sipërme mbetet nën mbikëqyrje të Komunës së Prishtinës.
“Nga 12.000 m² (Metër katror v.j.) janë tri pozicione që janë dëmtuar në përfundim të vjeshtës dhe gjatë kohës së dimrit. Pjesa e pllakave vertikale është dëmtuar nga shoferë të papërgjegjshëm të skuterëve/motorëve, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme i shfrytëzojnë hapësirat për këmbësorë dhe persona me aftësi të veçanta për qarkullim të mjeteve motorike. Janë dy pjesë nga 10 centimetra, të cilat janë dëmtuar gjatë bartjes së një pajisjeje të rëndë nga një kompani dhe, si pasojë e rënies së saj në shkallë, është dëmtuar travertini i shkallës”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kompanisë.
KOHA ka dërguar pyetje dhe ka telefonuar në Komunën e Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë çështje.