Arbëri

Rekomandohen masa mbrojtëse për punëtorët nga 22-25 korrik, shkak temperaturat

Ministria e Shendetesise

Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.

Ky njoftim i Ministrisë së Shëndetësisë vjen pas vdekjes së dy punëtorëve të ndërtimit, të hënën në Gjakovë.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta. Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës gjithashtu përmes një njoftimi ka njoftuar për rreziqet e temperaturave të larta që po mbizotërojnë këto ditë.

“Kushtet e motit jashtëzakonisht të rrezikshme, veçanërisht nëse zgjatë disa ditë rresht. Jetët e rrezikuara të njerëzve (veçanërisht për të sëmurët kronikë, personat nën terapi dhe kontroll mjekësor) dhe kafshëve. Probleme në furnizim me ujë, energji elektrike, vështirësi në trafik. Kushte moti jashtëzakonisht të favorshme për zjarre në pyje dhe të tjera” , thuhet në njoftim.

IHMK-ja ka thënë se sa i përket motit, Kosova gjendet në zonën e kuqe, e cila llogaritet me rrezik ekstrem.

Tre punëtorë kanë vdekur vetëm të hënën në bazë të të dhënave të Sindikatës së Sektorit Privat.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se njëri ka vdekur gjatë trajtimit në QKUK, pasi ishte lënduar më herët në një vendpunishte në rajonin e Istogut, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur, pasi janë aksidentuar gjatë orarit të punës në Komunën e Gjakovës, të hënën.

Për vdekjen e dy punëtorëve në Gjakovë janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuar me vendim të Prokurorisë Themelore në këtë qytet.

Në një bisedë në Interaktiv të hënën, Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim, ka përmendur nuk ka pasur thirrje nga institucionet përkatëse që të punohet me orar të shkurtuar, sidomos për punëtorët e ndërtimit.