Vala e temperaturave të larta deri në 38 gradë celsius, pritet që ta godasë Kosovën javën e ardhshme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nëse ato e kalojnë nivelin normal, do të rimerret vendimi për kufizimin orarit të punës për disa kategori.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për reduktimin e orarit të punës në temperatura të larta mund të rikthehet brenda pak ditësh.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, javën e ardhshme në Kosovë temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë celsius.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se vendimi do të diktohet nga vlerësimi që e jep Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
“Ministria e Shëndetësisë merr vendim, varësisht si cilësohet gjendja. Ne si Ministri e Shëndetësisë, e kemi udhëzuar IKSHPK-në që të jetë vazhdimisht në kontakt me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës dhe nëse ka ngritje enorme që janë temperaturat mbi nivelin normal, prapë do të merret vendimi i njëjtë sikurse vendimi i kaluar”, thuhet në vendimin e MSH-së.
Një muaj më parë, Ministria e Shëndetësisë vendosi që gratë shtatzëna të lirohen nga puna ose të punojnë nga shtëpia, qytetarët me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë, dhe ndaloi punën në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapur gjatë orëve 11:00–17:00.
Në Shoqatën e Ndërtimtarëve thanë se vendimi duhet respektuar, nëse merret sërish.
“Çdo vendim i Ministrisë së Shëndetësisë është i arsyeshëm, në bazë se si e shohin situatën Ministria, ajo e merr vendimin. Reduktimi i orarit të punës nuk ndikon për shkak se secila kompani e ndërtimit, në kohën kur temperaturat janë të larta u japin pauzë punëtorëve në të mirën e tyre”, kanë thënë nga kjo shoqatë.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë u respektua pjesërisht nga bizneset. Në ditën e parë kur filloi të zbatohet, 28 biznese u gjobitën nga Inspektorati i Punës vetëm në rajonin e Prishtinës.