Në një raport të bërë nga “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, të titulluar “Vlerësimi i ndryshimit të sjelljes në raportimin gazetaresk për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” është vënë në pah progres domethënës me mënyrën se si mediat kosovare raportojnë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.
Janë analizuar 92 artikuj medial nga viti 2022 deri në vitin 2024.
Sipas raportit, në vitin 2022 termi “RAE” është përdorur në gjashtë në 30 tekste që janë analizuar. Në vitin 2023 është përdorur në dy raste, ndërsa në vitin 2024 në një rast.
Po ashtu ka pasur rritje të temave inkurajuese përgjatë viteve. Në vitin 2022 nga 30 tekste të shkruara, janë identifikuar tri të tilla si inkurajuese, në vitin 2023 janë identifikuar pesë nga 25 tekstet, e në vitin 2024 janë identifikuar 10 storie nga 37.
“Në përgjithësi, analiza tregon se ka një përmirësim të dukshëm në mënyrën se si mediat dhe institucionet trajtojnë çështjet që lidhen me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ky përmirësim mund të atribuohet iniciativave të ndërmarra nga qeveria dhe shoqëria civile, si dhe ndërgjegjësimit gjithnjë e më të madh për rëndësinë e përfshirjes dhe respektit ndaj diversitetit kulturor”, thuhet në raport.
Në raport janë dhënë edhe rekomandime për mediat dhe gazetarët, për organizatat dhe komunitetet si dhe institucionet.
Për mediat e gazetarët është rekomanduar: krijimi i një udhëzuesi etik për raportim mbi komunitetet etnike; trajnime të rregullta për gazetarë dhe redaktorë; monitorim vjetor i përmbajtjes për të gjurmuar progresin.
Për organizatat dhe komunitetet: angazhimi i komuniteteve në gazetari dhe media (blogje, podkaste).; mbështetje për rrëfime autentike nga vetë anëtarët e komuniteteve; ndërtimi i besimit ndërmjet mediave dhe komuniteteve përmes bashkëpunimit dhe transparencës.
Për institucionet: vazhdimi i mbështetjes për programet edukative dhe kulturore që fuqizojnë këto komunitete; zhvillimi i qendrave kulturore për ruajtjen dhe promovimin e identitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Në raport thuhet se ndikimi i trajnimeve për gazetarë, bashkë me presionin e organizatave të shoqërisë civile, ka qenë vendimtar në këtë transformim.