Arbëri

Raporti i “Hibrid”: Afro 3000 artikuj në shqip shtyjnë narrativen proruse dhe proserbe

Mijëra artikuj në vit në gjuhën shqipe publikohen nga portalet ruse me qëllim përhapjen e propagandës pro Kremlinit dhe manipulimin e opinionit përmes inteligjencës artificiale, thuhet në raportin më të ri të institutit “Hibrid”, i cili analizon rrjetin propagandistik “Pravda” dhe ndikimin e tij në Ballkan, përfshirë Kosovën

Me qëllim shpërndarjen e narrativeve ruse e manipulimin e inteligjencës artificiale, portale ruse publikojnë afro 3000 artikuj në vit në gjuhën shqipe, është bërë e ditur të mërkurën gjatë publikimit të raportit “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, i përpiluar nga “Hibrid”. 

Festim Rizanaj, hulumtues në këtë institut tha se ky rrjet shtyn përpara një tregim të shtrembëruar për Kosovën dhe i shërben narrativeve proruse dhe proserbe. 

“Kosova mohohet si shtet, që paraqet qëndrimin zyrtar të Rusisë. Po ashtu është një narrativë që Kosova krahasohet me Krimenë... Ngjarjet, zhvillimet që ndodhin në vendbanimet serbe, këta i konsiderojnë si terrorizëm institucional ndaj komuniteti serb këtu”, ka thënë Rizanaj.

Rizanaj tha se këto portale nuk kanë faqe në rrjetet sociale si Facebook e TikTok që përdoren më shumë në Kosovë.  

“Në një prej ditëve ka pasur 11 vizitorë organikë, por e kam quajtur indirekt ndikimin për shkak se ideja e këtij rrjeti është që thjesht me mbushë këtë info-sferën digjitale me përmbajtje të narrativeve ruse edhe në shqip, në mënyrë që kur kërkohen të dhëna mbi ngjarje të caktuara këto narrativja ruse t’iu dalin njerëzve gjatë kërkimeve në internet”, ka deklaruar ai.

Mirëpo sipas tij ky nuk është tregues që këto platforma s’kanë ndikim, pasi synojnë manipulimin e Inteligjencës Artificiale.

“Manipulimi i Inteligjencës Artificiale (IA) apo ndikimi në sistemet e IA që gjatë gjenerimit të përmbajtjeve të kërkuara t’i fusin edhe këto narrativet ruse. Do të thotë gjatë kërkimit kur gjenerohen përgjigje për ndonjë rast të caktuar ato mësojnë nga narrativet ruse edhe ato përgjigje integrohen në ‘Chat Bots’ të IA”, ka thënë ai.

Sipas Rizanajt, “Pravda” është rrjet propagandistik i koordinuar ngushtë me Kremlinin zyrtar, që publikon përmbajtje në mbi 80 shtete të botës.