Në një postim të dytë në Facebook gjatë pasdites lidhur me protestën në Hagë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk kërkohet asgjë më tepër se drejtësi për Kosovën dhe çlirimtarët.
“Drejtësi pra drejtësi, vetëm drejtësi, asgjë më shumë se sa drejtësi dhe asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe Çlirimtarët e Saj”, ka shkruar Rama.
Rama para fillimit të protestës në Hagë: Me zemër e mendje jam edhe unë atje
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përkrahur protestën në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pak para fillimit të protestës, derisa protestuesit po mblidhen në vendin ku është paraparë të mbahet, Rama ka shkruar në Facebook, duke i dërguar mesazh ish-presidentit, Hashim Thaçi.
“Liria ka emër, me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant. Liri për çlirimtarët”, ka shkruar Rama.
Protesta në Hagë vjen një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarë të mbrojtjes. Një protestë tjetër ishte mbajtur në prill të vitit 2023 kur kishte nisur gjykimi.
