Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama në Beograd në Samitin “Ballkani i Hapur”, pritet finalizimi i një marrëveshje

Për dy ditë me radhë do të mbahet në Serbi “Ballkani i hapur”, ku pritet të të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve, me qëllim që të mos përsëritet më situata që për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia bllokoi grurin për Shqipërinë dhe Maqedonia e Veriut vajin.

Ashtu sikurse është njoftuar sot do të nisë edhe Panairi Ndërkombëtar i Verës që do të ekspozohet për 4 ditë në kryeqytetin serb, ku liderët do të mbajnë një fjalim nga 5 minuta.

Ndërsa të premten do të mbahet samiti mes liderëve të Ballkanit të Hapur dhe pas tij në orën 13:05 do të ketë një konferencë për shtyp të liderëve.

Mësohet se krahas liderëve të vendeve që e kanë krijuar këtë nismë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në takimin në Beograd do të marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministri e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Sikurse edhe në takimin e fundit të kësaj iniciative, të mbajtur në Ohër, të pranishëm do të jenë kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnjë-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija. /A2news