Qytetarët e lagjes Matiçani në Prishtinë po ndihen të rrezikuar nga lisat e vjetër në oborrin e një shtëpie. Agon Gashi, banor i Matiçanit, ka thënë se e ka bërë kërkesën te kryetari i Prishtinës për largimin e tre lisave nga oborri i tij. Sipas tij, lisat të vjetër më shumë se 100 vjeç janë të dëmtuar dhe një erë e fortë rrezikon t’i shkulë.
Të hënën, si pasojë e rrëzimit të një lisi në qytet pësoi një 30-vjeçar që humbi jetën. Lëndime të rënda mori edhe një grua. Gashi ka thënë se kërkesa e tij duhet të trajtohet me urgjencë për të shmangur ndonjë fatkeqësi tjetër të mundshme.
“Si qytetar i lagjes së Matiçanit e kam bë kërkesën për këta tre lisa sepse s’mundem vetë t’i heq. I kam shkruar kryetarit të më ndihmojë në financim ose të vijë ‘Hortikultura’ për t’i krasitur. Një frymë, një shi më rrezikon. I kam edhe kabllot e rrymës. Që tre muaj e kam bë kërkesën. Kryetari thotë po e kemi aprovuar kërkesën, por s’ka dalë. Më është dashur të thirri mediat. Sot vdiq një 30-vjeçar e nesër mundet me ndodh edhe këtu. Mos të çohet mandej kryetari me më thanë se kemi harruar a diçka tjetër. Është lis i vjetër. Ka nisur të dredhohet sepse është i vjetër. Kisha pas dëshirë ta marrin më urgjent sepse po të rrëzohet na bën dëm”, ka thënë ai për emisionin “038” në KTV.
Gashi ka thënë se ka kërkuar nga Komuna ta mbulojë të paktën 60 për qind të shpenzimit për largimin e rrezikut.