Beteja e qytetarëve për kundërshtimin e fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës ka marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Nëpërmjet një aktvendimi që është nxjerrë në shkallë të parë, u jepet e drejtë qytetarëve që edhe me protesta, prej më shumë se tre vjetësh, kanë kërkuar që çimentorja të mos ngrihet.
Qytetarët e Klinës kanë fituar në shkallë të parë gjyqësore betejën e nisur prej më shumë se tre vjetësh kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc.
Ata treguan se Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim që u jep të drejtë atyre.
“Aktvendimi i Gjykatës i jep të drejtë vendimit të Asamblesë Komunale në Klinë dhe i bie praktikisht që vendimi i kësaj asambleje është i plotfuqishëm dhe është obligues për komunën që të zbatohet. Ky vendim i asamblesë vlen të theksohet: anulohen të gjitha pëlqimet dhe dokumentet e tjera urbanistike të cilat janë dhënë lidhur me gurorë për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos”, tha qytetari Veton Raci.
Banorët kërkuan zbatimin e aktvendimit, si nga pushteti lokal, ashtu edhe nga ai qendror.
“Prandaj, kërkojmë që pezullimi të shndërrohet në vendim për anulimin e pëlqimit mjedisor për kompaninë Wallingford International Kosova” L.L.C. Po ashtu nga niveli komunal kërkojmë që me marrjen e këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetari i komunës të nxjerrë vendim për shkarkimin e drejtorit, Lorenc Marlekaj si dhe shkarkimin e drejtorit aktual të Urbanizmit, Enver Berisha, i cili kishte nxjerrë vendim për lëshimin e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos”, tha Raci.
Fabrika e çimentos në Dollc ka marrë më herët nga Ministria e Mjedisit një vlerësim mjedisor se nuk ka ndikim negativ në ambient. Por, banorët e fshatrave përreth ka më shumë se tre vjet që e kundërshtojnë projektin.
-
Protestuesit kundërshtojnë çimentoren, paralajmërojnë boshatisjen e vendbanimeve
-
Avokati i Popullit dëgjon banorët që kundërshtojnë ngritjen e një fabrike të çimentos
-
Banorët e Klinës akuzojnë kompaninë e çimentos për mashtrim në marrjen e lejes ndërtimore
-
Në Klinë protestohet kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos
-
Banorët e Kliçinës kërkojnë mbikalim për sigurinë e nxënësve