Banorët të cilët kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës për prodhimin e çimentos në Dollc të Klinës, kanë mbajtur të dielën konferencën për media, nëpërmjet së cilës kanë akuzuar operatorin ekonomik Uallingford International Kosova se ka mashtruar në marrjen e lejes për ndërtimin e çimentores. Sipas tyre, kjo fabrikë nuk do të ndërtohet me teknologji të gjelbër, por do të funksionojë me qymyr. E përfaqësues të kompanisë e kanë mohuar një gjë të tillë.
Akuza për mashtrime në marrjen e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës kanë drejtuar qytetarët e kësaj komune ndaj operatorit Wallingford International Kosova.
Përfaqësues të Këshilli Organizativ Kundër Fabrikë së Çimentos kanë mbajtur të dielën konferencë për media në fshatin Gremnik. Në të kanë thënë se ndërtimi i kësaj fabrike do t’ua pamundësojë jetesën banorëve të Komunës se Klinës.
Sipas tyre, kjo fabrikë nuk do të ndërtohet me teknologji të gjelbër. E këtë e bazojnë në përshkrimin teknik që operatori e ka dorëzuar në komunë në aplikimin për leje.
"Në përshkrimin teknik të paramasës që e kemi marrë të operatorit, parasheh ndërtimin e depos së qymyrit me një hapësirë prej 10 mijë e 600 metrash katror, do të thotë është direkt me qymyr, nuk është siç prezantohet si fabrikë e gjelbër", ka thënë Veton Raci, përfaqësues i Këshilli Organizativ Kundër Fabrikë së Çimentos.
Këtë e ka mohuar përfaqësuesi i kompanisë Wallingford, Faton Ismajli, i cili ka thënë se për ndërtimin e fabrikës do të përdoren komponentët më miqësorë ndaj mjedisit.
E, qytetarët, po ashtu, kanë akuzuar kompaninë se ua ka shtrembëruar komentet atyre në dëgjimin publik, i cili është mbajtur në vitin 2021.
"Ka banorë që ka dhënë komente kundërshtuese, dhe atyre iu ka ndryshuar komenti në procesverbal, ku paraqiten si komente pozitive për pro ndërtimin e fabrikës së çimentos", ka thënë Veton Raci, përfaqësues i Grupit të Qytetarëve Kundërshtues.
Banori Faton Berisha, ekolog me profesion, e ka kualifikuar si raport të dobët e me mungesë profesionalizmi, vlerësimin e operatorit për efektin që do të ketë ndërtimi i fabrikës në mjedis.
"Pjesët ku do të ndërtohet fabrika për prodhimin e çimentos janë të mbuluara me bar të mbirë vetë, nuk ka term shkencor që mundesh me përdor barin e mbirë vetë... Ja është google translate, autorët këtu janë me të vërtetë analfabetë funksionalë që nuk dinë të krijojnë një fjali”, ka thënë Faton Berisha, banor.
E, banori Ibrahim Kalludra ka thënë se shpërngulja është zgjidhja e vetme nëse vendoset për ndërtimin e fabrikës.
“Unë i kam 65 vjet, jam lind e rritur në këtë ajër të pastër, tash fëmija dhe nipat e mi nuk mund të rriten si unë, ata kanë me vdekur më herët”, ka thënë Kalludra.
Për marrjen e lejes për implementimin e projektit në të cilin parashihen të investohen 220 milionë euro, janë duke u zhvilluar procedura gjyqësore. Për shkak të kësaj, në maj të këtij viti Ministria e Infrastrukturës ka pezulluar vendimin për dhënien e pëlqimit mjedisor.