Banorë të Klinës dhe të fshatrave përreth kanë protestuar të martën kundër ndërtimit të planifikuar të fabrikës së çimentos. Gjatë protestës ata kanë paralajmëruar se si pasojë e dëmtimit të ambientin nga fabrika, banorët do të shtrëngohen që t’i braktisin vendbanimet. E në Komunë kanë njoftuar se punimet janë ndalur dhe se nuk do të fillojnë përderisa të mos përmbushen kushtet ligjore
Nën shoqërimin e tingujve të muzikës rock, qytetarë të Klinës janë mbledhur të martën para objektit të Komunës për të kundërshtuar planin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në zonën midis fshatrave Gremnik dhe Dollc.
Duke bartur pankartat me mbishkrimet: “Nuk e meritojmë ndotjen”, “Fabrika=Ndotja e ujit, ajrit e tokës”, “Mos ma prek Dukagjinin”, qytetarët kanë shprehur kundërshtinë për planin e çimentores.
Veton Raci, organizator i protestës, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Klinës se në mënyrë tinëzare është angazhuar që operatori të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm. Ai ka theksuar, ndërkaq, se protesta përbën një betejë, prej të cilës janë qytetarët ata që do të dalin ngadhënjyes.
“Beteja jonë është për drejtësi. Po bëhen katër vjet që jemi në një betejë të pabarabartë, një betejë që është kundër të gjithëve, mirëpo është e banorëve. E kur është e banorëve, është më e rëndësishme se e të gjithë të tjerëve. Ne nuk shkuam t’i ndërtojmë shtëpitë tona te fabrika e çimentos, por fabrika e çimentos po do të ndërtohet te shtëpitë tona, e meqenëse është kështu, ne do të jetojmë në shtëpitë tona e fabrika e çimentos nuk do të ndërtohet”, ka thënë ai.
E ambientisti Ragip Kryeziu dhe banorët e tjerë të Klinës kanë paralajmëruar se ndërtimi i fabrikës do të gjenerojë largimin e qytetarëve nga zona.
“Çimentorja do të ndikojë, sepse çdo banor është i interesuar të ikë nga këtu edhe pse ka ikë një pjesë e madhe tash janë të përgatitur të gjithë të ikin, për t’u pasuruar 50 apo 100 veta”, ka thënë Kryeziu.
E qytetari Ndue Marleku ka potencuar dëmet që mund të shkaktohen nga jetësimi i planit për ndërtimin e fabrikës së çimentos.
“Fabrikën me ndalu, sepse sipas ekspertëve ajo dëmton ajrin dhe kemi shumë të këqija prej kësaj pune. Prandaj kemi dalë që edhe ne të solidarizohemi me këta që e kanë organizuar protestën”, ka thënë Marleku. Ndërkaq qytetari Lah Berisha e kualifikoi planin një tragjedi për Klinën.
“Kemi dalë në protestë kundër kësaj iniciative për ndërtimin e çimentores. Këto propaganda që propozojnë 700 a 800 të punësuar, ajo nuk i merr as 200. E shkatërron ambientin e Klinës, me të vërtetë kjo është tragjedi për Klinën”, ka ai.
Në Komunën e Klinës nëpërmjet një reagimi të publikuar pas protestës kanë thënë se nuk do të lejohen aktivitete që ndërlidhen me ndërtimin e fabrikës, pas pezullimit të pëlqimit mjedisor.
“Për hir të llogaridhënies ndaj qytetarëve, dëshirojmë të sqarojmë se pas pezullimit të pëlqimit mjedisor nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Komuna e Klinës, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, menjëherë ka bërë pezullimin e lejes ndërtimore... Inspektorati komunal nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë aktivitet që ndërlidhet me ndërtimin e fabrikës së çimentos, sepse tashmë leja e ndërtimit është e pezulluar”, thuhet në komunikatën e Komunës së Klinës, të postuar në faqen zyrtare në Facebook.
Protestuesit kanë akuzuar udhëheqjen në Klinë se i ka dhënë leje kompanisë ndërtuese pa përfunduar kontesti ligjor midis Komunës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. E ministria është akuzuar për falsifikimin e procesverbalit dhe të dëgjimit publik për të marrë pëlqimin e banorëve të zonës që të ndërtohet çimentorja.
Në këtë protestë morën pjesë organizata të shumta joqeveritare që merren me mbrojtjen e ambientit.