LAJMET E MBRËMJES

Banorët e Klinës, kundër çimentores, deputetët ofrojnë mbështetje

Mbi 300 qytetarë nga Komuna e Klinës kanë protestuar të shtunën kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc. Për ndërtimin e fabrikës, Ministria e Mjedisit më herët kishte dhënë vlerësimin se nuk ka ndonjë ndikim negativ në mjedis. Por qytetarët e cilësojnë si të dëmshme për jetën, shkaku i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës

Më shumë se 300 qytetarë nga Klina kanë protestuar në shenjë kundërshtimi ndaj planit për ndërtimin e një fabrike të çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune. Ndërtimin e saj, protestuesit e kanë cilësuar të dëmshme për jetët e qytetarëve, shkaku i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës. Veton Raci, përfaqësues i “Grupit të Organizuar të Qytetarëve” të Klinës, është zotuar që protestat për mjedisin, mbrojtjen e mjedisit, do t’i vazhdojnë.

“Ky nuk është fillimi. Këtu jemi nga aktivitetet tona të shumta në ndalim të kësaj fabrike. Nuk do të ndalemi deri në ndaljen e plotë të tentimeve të ndërtimit të kësaj fabrike. Do të jemi të organizuar edhe më fort, deri me ndaljen e guroreve të kësaj pjese që nuk janë më pak të dëmshme sesa kjo fabrikë. Do ta kundërshtojmë çdo veprimtari që e ndot ambientin ku jetojmë”, ka thënë Raci.

Në mbështetje të kauzës së banorëve u kanë dalë dy deputetë të Kuvendit. Fitore Pacolli, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetare e Komisionit për Mjedis, ka premtuar se institucionet do të merren me ankesat e qytetarëve.

“Shumë fëmijë këtu paska që po kërkojnë e po thonë ‘toka është e jona’. Është e fëmijëve, Kosova është e fëmijëve, e gjeneratave që do të vijnë dhe çdo investim që ne bëjmë duhet të jetë investim i cili garanton të ardhmen e fëmijëve, pra, të ardhmen e vendit tonë”, është shprehur Pacolli.

E deputeti i Partisë Demokratike, Hisen Berisha, ka kërkuar që të këtilla fabrika të ndërtohen larg zonave të banuara.

“Është më se e vërtetë që politikat që ndërtohen nga qeveritë tona duhet ta kenë qëllimin e zhvillimit të vendit e përmirësimit të jetës së qytetarëve, prandaj kjo që po bëni ju sot është faktori kryesor që duhet ta kemi në konsideratë, qoftë kur bëjmë ligje, qoftë kur bëjmë plane zhvillimore, qoftë kur ndërtojmë politika. Standard është të respektohet vullneti qytetar”, ka thënë Berisha.

Banorët kanë ngritur alarmin se çimentorja do të shkatërrojë mjedisin jetësor në këtë zonë.

Faton Berisha, protestues nga fshati Qeskovë, ekolog me profesion, ka thënë se çimentorja është industri e rëndë dhe që vendosja e saj në këtë fshat do ta prekte tërë rajonin.

“Fabrikat e çimentos janë ndotëse enorme të mjedisit dhe kjo zonë, siç po e shihni, është natyrë shumë e bukur, është zonë ku ka potencial të zhvillimit të bujqësisë, ka shumë lumenj dhe zona ku tentohet të ndërtohet është problemi më i madh, është lartësi e madhe mbidetare që nëse funksionalizohet, jo vetëm këto fshatra, por i gjithë rajoni i Dukagjinit dhe rajonet këtu përreth janë të rrezikuara, jo, por janë të shkatërruara”, është shprehur Berisha.

Një protestues tjetër nga fshati Gjurgjevik i Madh, Adem Seferaj, ka pohuar se dëmet e çimentoreve janë të mëdha për mjedisin e shëndetin e njerëzve.

“Në shumë vende ka, po të shkosh atje në fabrikën në Han të Elezit, a e dini çfarë sipërfaqe ka shkatërruar e sa njerëz janë sëmurë, janë nga shumë sëmundje nga çimentoja e këto gjëra. Ke edhe në Shqipëri fabrika deri me 20 kilometra, që e kemi parë se edhe pylli s’ka kthyer, s’është rritur më”, ka thënë Seferaj.
KOHA është përpjekur që ta kontaktojë drejtorin e kompanisë “Wallingford International - Kosovo L.L.C”, që do ta ndërtojë çimentoren, porse ai nuk ka qenë i qasshëm deri në kohën e publikimit të raportit.

Fabrika në Dollc ka marrë më herët nga Ministria e Mjedisit një vlerësim mjedisor se nuk ka ndikim negativ në ambient. Por, banorët e fshatrave përreth kanë dy vjet e gjysmë që e kundërshtojnë projektin.