Regjisori i mirënjohur, Quentin Tarantino, po shkakton reagime të ashpra në rrjete sociale pasi e ka kritikuar rëndë aktorin Paul Dano gjatë paraqitjes së tij në podkastin e Bret Easton Ellis.
Gjatë intervistës, regjisori fitues i çmimit “Oscar” ka zbuluar listën e filmave më të mirë të shekullit XXI, ku “There Will Be Blood” i Paul Thomas Anderson ishte zgjedhja e tij e pestë.
Por, Tarantino ka thënë se filmi mund të ishte renditur edhe në vend të parë ose të dytë “po të mos kishte një mangësi të madhe… dhe mangësia është aktori Paul Dano”.

“Është e qartë që filmi është menduar të jetë një duel mes dy personazheve kryesorë. Por po aq qartë është që nuk funksionon kështu. Dano është shumë i dobët. Aktori Daniel Day-Lewis po e ha të gjallë. Austin Butler do të ishte i mrekullueshëm në atë rol. Ai është thjesht tepër i dobët, i mërzitshëm. Daniel Day-Lewis tregon që nuk ka nevojë për një kundërshtar të fortë. Filmi ka nevojë. Ai jo. Filmi është menduar të jetë një duel, por nuk është! … Dhe ti e vendos atë bashkë me aktorin më të dobët në gjithë SAG-un (sindikata profesionale e aktorëve në SHBA)? ‘Djalin më të plogësht në botë’?”, ka thënë Tarantino, ka raportuar Variety.
Teksa Tarantino qeshi, Ellis ndërhyri duke thënë se Dano kishte qenë “mjaft i mirë” për atë që kërkohej në film.
“Nuk po them që ai jep një performancë të keqe, po them që jep një performancë që nuk lë gjurmë… Nuk më pëlqen fare”, u përgjigj regjisori.
Filmi “There Will Be Blood” sjell Daniel Day-Lewisin në një rol fitues të çmimit “Oscar” si Daniel Plainview, një magnat nafte i pamëshirshëm në fillim të shekullit XX, i etur për pasuri.
Paul Dano interpreton rolin e binjakëve Paul dhe Eli Sunday, me këtë të fundit si predikues.
Tarantino dhe Ellis ranë dakord se performanca e Day-Lewis dhe “zanati i vjetër i Hollywoodit” i Andersonit e vendosin filmin një hap para të tjerëve.
“Ai kishte atë mjeshtërinë e vjetër të Hollywoodit pa u përpjekur të dukej kështu. I thashë dhe vetë: ‘është filmi i vetëm që ka bërë që nuk ka një skenë të madhe spektakolare’. Zjarri është më afër një skene të tillë. Ky film kishte të bënte me rrëfimin, me historinë, dhe ai e bëri këtë në mënyrë të pabesueshme”, ka thënë Tarantino.
Variety e kishte vlerësuar Paul Danon në recensionin e saj origjinal për filmin.
“Dano kalon nga sjellja e përulur te shpërthimet e zjarrta në një interpretim të fuqishëm si i riu i Zotit”, pati shkruar Variety.