Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Natë historike në Oscars – “One Battle After Another” fitues i gjashtëfishtë

“One Battle After Another”

“One Battle After Another” në ceremoninë e sivjetme u vlerësua me çmimin “Filmi më i mirë” dhe fitoi gjithashtu çmimet “Regjisori më i mirë”, “Aktori më i mirë në rol dytësor” për yllin e Hollywoodit, Sean Penn, “Skenari më i mirë i adaptuar, “Montazhi më i mirë” dhe çmimin e parë në histori të “Oscars” për “Kastën më të mirë në film”, një kategori për të cilën industria prej kohësh kishte bërë përpjekje ta fusë në listën e çmimeve akademike

Foto: Associated Press

Filmi i Paul Thomas Andersonit, “One Battle After Another”, fitoi “betejën” për “Oscar” duke marrë gjashtë çmime, pas një sezoni shpërblimesh shumë të diskutuar. “E shkrova këtë film për fëmijët e mi, për t’u kërkuar falje për rrëmujën që lamë në këtë botë që po ua dorëzojmë atyre”, tha Anderson në fjalimin e tij të parë atë natë

Projekti i zhanrit triler dhe komedi me buxhet të lartë, i frymëzuar nga romani “Vineland” i Thomas Pynchon, u shpall “Filmi më i mire” dhe fitoi gjithashtu çmimet “Regjisori më i mirë”, “Aktori më i mirë në rol dytësor” për yllin e Hollywoodit Sean Penn, “Skenari më i mirë i adaptuar, “Montazhi më i mirë” dhe çmimin e parë në histori të “Oscars” për “Kastën më të mirë në film”, një kategori për të cilën industria prej kohësh kishte bërë përpjekje ta fus në listën e çmimeve akademike.

“E shkrova këtë film për fëmijët e mi për t’u kërkuar falje për rrëmujën që lamë në këtë botë që po ua dorëzojmë atyre”, tha Anderson në fjalimin e tij të parë atë natë. Regjisori shtoi gjithashtu se shpreson që brezi i ri do të ndihmojë në rikthimin e “arsyes së shëndoshë dhe mirësjelljes” në shoqëri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I nominuar më parë për filma si, “Boogie Nights”, “There Will Be Blood” dhe “Phantom Thread”, kjo natë shënoi fitoret e para të Andersonit në ceremoninë “Oscar”.

Penn fitoi përballë kolegut të tij, Benicio del Toro, duke marrë “Oscarin” e tretë të karrierës, por nuk qe i pranishëm për ta pranuar çmimin për “Aktorin më të mirë në rol dytësor”. 

“Sean Penn nuk mundi të ishte këtu sonte, ose ndoshta nuk donte”, bëri shaka prezantuesi i kësaj kategorie, Kieran Culkin.

Sezoni i shpërblimeve në Hollywood ishte shndërruar në një garë mes dy filmave të studios “Warner Bros”: “One Battle After Another” dhe “Sinners”, i cili hyri në ceremoninë e çmimeve si filmi më i nominuar ndonjëherë, me një rekord prej 16 nominimesh.

Filmi me vampirë i fitoi gjithsej katër çmime: “Aktori më i mirë” për “Michael B. Jordan”, “Skenari më i mirë origjinal”, “Muzika origjinale” dhe çmimi për “Kinematografi”, duke e bërë Autumn Durald Arkapawin fituesen e parë femër, dhe fituesen e parë me ngjyrë në këtë kategori.

Edhe Michael B. Jordan e fitoi “Oscarin” e tij të parë në karrierë për rolin kryesor në film, duke mposhtur yjet, Timothée Chalamet dhe Leonardo DiCaprio. 
“Jam këtu falë njerëzve që erdhën para meje”, tha ai, duke përmendur fituesit e mëparshëm afrikano-amerikan të çmimit “Oscar”. Me këtë triumf ai u bë aktori i gjashtë me ngjyrë i shpërblyer në këtë kategori.

Regjisori Ryan Coogler është vetëm fituesi i dytë afrikano-amerikan i çmimit për “Skenarin origjinal”, pas Jordan Peele, i cili fitoi për filmin e zhanrit horror, “Get Out”. 39-vjeçari i kërkoi ekipit të filmit të ngrihen në këmbë duke u thënë: “Ju të gjithë jeni fitues në librin tim”, dhe u kërkoi falje fëmijëve të tij “për kohën e gjatë që ka qëndruar larg tyre”.

Jessie Buckley u bë irlandezja e parë që fiton “Oscar” në kategorinë “Aktorja më e mire”, për interpretimin e mrekullueshëm në dramën shekspiriane “Hamnet” të Chloé Zhao. 36-vjeçarja ishte nominuar më parë për rolin në “The Lost Daughter”. Ajo ia dedikoi çmimin “kaosit të bukur të zemrës së një nëne” dhe e quajti atë “nderin më të madh”.

Aktorja 75-vjeçare, Amy Madigan, fitoi çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, për portretizimin e personazhit negative në filmin horror, “Weapons”, duke mposhtur konkurrentet si, Teyana Taylor dhe Wunmi Mosaku. Ishte hera e parë që ky çmim u fitua nga një aktore që ishte e vetmja e nominuar nga filmi i saj, që kur Penélope Cruz mori “Oscar” për filmin “Vicky Cristina Barcelona”.

Drama familjare “Sentimental Value” e Joachim Trier, e rrëmbeu çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar, hera e parë që Norvegjia fiton në këtë kategori.

“Jam thjesht një fanatik filmi nga Norvegjia,” tha Trier në skenë. Në fund të fjalimit ai parafrazoi James Baldwinin, duke thënë: “Të gjithë të rriturit janë përgjegjës për të gjithë fëmijët dhe le të mos votojmë për politikanë që nuk e marrin seriozisht këtë”. Çmimi në skenë iu prezantua nga Prianka Chopra-Jonas dhe Javier Bardem, i cili para të pranishmëve në sallë deklaroi, “Jo luftë dhe liri për Palestinën”.

“Oscari” për dokumentarin më të mirë shkoi për “Mr Nobody Against Putin”, një film që tregon historinë e një mësuesi që lufton kundër rregullave shtypëse të shtetit, në shkollën e tij në Rusi. Bashkëregjisori, David Borenstein, tha se filmi e tregon “mënyrën se si mund të humbasësh vendin tënd”.

Filmi më i shikuar ndonjëherë në Netflix, “KPop Demon Hunters”, fitoi dy çmime “Oscar” në kategoritë “Filmi më i mirë i animuar” dhe Kënga më e mirë origjinale”. Kolona zanore e këtij filmi, “Golden”, bëri histori si kënga e parë K-pop që fiton një “Oscar”.

Versioni i Guillermo del Toros i filmit “Frankenstein” nga Netflixi fitoi gjithashtu tre çmime për skenografi, kostume dhe grim e flokë. Çmimi për efektet vizuale shkoi për hitin e arkave filmike “Avatar: Fire and Ash”, ndërsa filmi “F1” fitoi çmimin “Best Sound”.

Në kategorinë për filmin e shkurtër pati edhe një barazim të pazakontë, vetëm hera e shtatë në historinë e “Oscars” që ndodh një gjë e tillë. E aty, Kosova u përfaqësua me aktoren protagoniste të filmit “Two People Exchaging Saliva”, Luana Bajrami, e cila qe e pranishme në ceremoni. Regjisorët e filmit, me ta pranuar trofeun nën emocione të mëdha, e përmendën dhe prejardhjen nga Kosova të Bajramit, duke shtuar se është një projekt i punuar nga një ekip i përbërë kryesisht nga gratë. Çmimi i kësaj kategorie u nda edhe për filmin tjetër “The Singers”.

Ishte një natë e madhe për studion filmike “Warner Bros.”, që fitoi gjithsej 11 çmime dhe çmimin e parë për “Filmin më të mirë” që nga viti 2013, kur triumfoi me projektin e Ben Afleckut, “Argo”.

Komediani i njohur televiziv, Conan O’Brien, u kthye si prezantues për vitin e dytë radhazi dhe e nisi ceremoninë me një skeç humoristik, duke bërë shaka se mund të jetë “prezantuesi i fundit njerëzor” i ceremonisë “Oscar”, duke iu referuar zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.

Më vonë në mbrëmje pati edhe homazhe për yjet e kinematografisë që bota i humbi së fundmi. Barbara Streisand i bëri homazh mikut të saj dhe kolegut, Robert Redford. Aktorja dhe këngëtarja 83-vjeçare, e këndoi një pjesë të kolonës zanore nga drama e tyre romantike e vitit 1973, “The Way We Were”, pasi kujtoi respektin dhe dashurinë e që kishin për njëri-tjetrin. Ndër të tjera, i bëri homazh guximit politik të Redfordit, duke thënë se gjatë jetës së tij “ai ngriti zërin për të mbrojtur lirinë e shtypit, për të mbrojtur mjedisin dhe për të inkurajuar të rinjtë”.

Edhe aktorja Rachel McAdams e bëri një paraqitje në edicionin e 98-të të ceremonisë “Oscar”, për të nderuar aktoret e ndjera, Diane Keaton dhe Catherine O’Hara. Ylli i filmit “Send Help” doli në skenë gjatë segmentit “In Memoriam”, që i përkujton aktorët, regjisorët dhe individët nga industria e filmit, që kanë vdekur gjatë vitit të fundit.

“Këtë vit humbëm kaq shumë artistë, përfshirë aktore, talenti dhe origjinaliteti i të cilave zgjeruan botën për të gjithë ne”, tha McAdams në fillim të fjalimit të saj.

Po ashtu një homazh i veçantë u bë për regjisorin e ndjerë, Rob Reiner, i udhëhequr nga miku i tij Billy Crystal, i cili tha se filmat e Reinerit do të “jetojnë për breza të tërë”.

Në ceremoninë e vitit të kaluar “Oscar”, mbrëmja u dominua nga komedia dramatike me buxhet të ulët, “Anora”, e regjisorit Sean Baker, e cila fitoi çmimin kryesor “Filmi më i mirë” dhe katër çmime të tjera.