Arbëri

QKRMT: Marrë parasysh raportet me Serbinë, jemi të shqetësuar për tre policët e kidnapuar

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka shprehur shqetësim se nuk po dihet vendndodhja e statusi i tre policëve që dyshohet se u kidnapuan nga forcat serbe në Kosovë.

QKRMT ka thënë se për shkak të kontekstit politik me Serbinë dhe me qëllim që të parandalohet çdo lloj keqtrajtimi i tyre, ka kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë të interesohen për vendndodhjen e tyre.

“Duke pasur parasysh raportet me Serbinë si dhe kontekstin politik, QKRMT mbetet e shqetësuar për mungesën e informacionit rreth vendndodhjes dhe statusit të tre zyrtarëve policor, andaj me qëllim të parandalimit të torturës dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit ndaj tyre, QKRMT u është drejtuar me kërkesë zyrtare mekanizmave ndërkombëtare që të interesohen për vendndodhjen e tre zyrtarëve policor, dhe të njëjtin të vizitohen nga mekanizmat ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e kësaj qendre.

Kërkesat për vizitë të zyrtarëve policorë, QKRMT i ka drejtuar tek: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) si dhe Nënkomiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese (SPT).

Po ashtu, QKRMT i ka shkruar edhe Komitetit të Helsinkit në Serbi që të vizitohen tre zyrtarët policorë.