Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Obiliq ka gati një javë që ka mbetur pa insulina. Në mungesë të tyre, pacientët detyrohen që vetë t’i blejnë ato. Zyrtarët komunalë thonë se deri tash nuk kanë pasur ndonjë telashe me furnizim të insulinave, por për këtë kanë shtuar se përgjigjen duhet kërkuar te Ministria e Shëndetësisë. E zyrtarët e kësaj të fundit kanë thënë se furnizimi me to është çështje ditësh
Pa insulina qe gati një javë kanë mbetur 154 pacientë të Komunës së Obiliqit. Të zhgënjyer, kanë thënë se në mungesë të tyre detyrohen që vetë t’i blejnë ato. Disa insulinëvartës prapa kamerës janë shprehur se më nuk dinë as ku të ankohen. Ndërkohë, Arben Sollova nga fshati Mazgit tregoi se atij i duhen 5 insulina brenda një muaji, të cilat kushtojnë 50 euro.
“Është mungesë e insulinave qe 4-5 ditë. Po këtu nuk po varet krejt prej Ambulancës, po krejt prej Ministrisë së Shëndetësisë, se këta nuk kanë faj. Edhe po ndodh shpesh që kemi pasur mungesë të insulinave u dashtë me shku me i ble nëpër barnatore. Po pak ato edhe janë shtrenjtë, është kostoja e shtrenjtë edhe është mungesë e tyre, se një po kushton 10 euro. Unë për vete 5 insulina i marr brenda muajit”, ka thënë Sollova.
Ai thotë se ndodh nganjëherë që insulina nuk gjejnë as nëpër barnatore.
Zyrtarët komunalë të Obiliqit thonë se furnizimi me insulina është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas nënkryetarit Ibush Mjekiqi, zakonisht QKMF-ja në këtë komunë furnizohet nga data 15 deri më datën 20. Ndërsa, tash thotë se kanë kaluar 5 ditë, por ende nuk janë furnizuar me insulina.
“Ne në mënyrë të vazhdueshme, për çdo muaj i përsërisim kërkesat mujore, sepse ato rifreskohen dhe mund të hyjë dikush dhe mund të dalë dikush nga lista. Po sido që të jetë, aktualisht ne i kemi 154 insulinëmarrës dhe kërkesat janë bërë. Përgjigje unë nuk kam. Përgjigjen ju duhet ta kërkoni në Ministrinë e Shëndetësisë”, është shprehur Mjekiqi.
Në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se ky institucion nga muaji korrik i këtij viti ka furnizuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë të gjitha institucionet e nivelit primar në vend me insulinë.
“Në vijim të këtij shërbimi do të trajtohet edhe kërkesa e QKMF-së për të cilën keni pyetur dhe MSH-ja brenda javës do të vazhdojë me furnizimin e rregullt mujor për të gjitha QKMF-të në vend”.
Por, Ministria e Shëndetësisë nuk ka treguar arsyen pse QKMF-ja në Obiliq ka mbetur qe gati një javë pa insulina.