Arbëri

Pompa insulinike, e papërballueshme për pacientët

Edhe pse konsiderohet si një nga trajtimet më të avancuara dhe më të lehta për menaxhimin e diabetit të tipit 1, pompa insulinike ende nuk është përfshirë në Listën e barnave esenciale në Kosovë. Në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK, aktualisht, vetëm pesë pacientë marrin këtë trajtim, prej tyre dy nga pajisje të dhuruara dhe tre të tjerë, që e kanë siguruar vetë përmes mjeteve personale

Arianita Hoti

Trajtimi me pompë insulinike për pacientët me diabet tip 1 ende nuk është përfshirë në Listën e barnave esenciale në Kosovë. 

Kjo pompë, sipas mjekëve, ua lehtëson ndjeshëm jetën pacientëve me këtë lloj të diabetit. 

Në Klinikën e Endokrinologjisë ky shërbim tashmë ka nisur, por qasja mbetet e kufizuar.

Sipas drejtuesve të saj, deri tash dy prej këtyre pajisjeve janë siguruar përmes donacioneve, së bashku me materialin shpenzues, ndërsa tri të tjera janë blerë nga vetë pacientët.

Doktoresha Rozafa Olloni-Nikaj ka theksuar se përdorimi i pompës insulinike eliminon nevojën për shpime të përditshme.

“Ky trajtim është më i lehtë, pasi pacientët nuk kanë nevojë ta shpojnë veten disa herë në ditë. Përdorimi i pompës e zvogëlon ndjeshëm nevojën për shpime të shpeshta”, ka thënë Olloni-Nikaj.

Ajo ka theksuar se trajtimi me pompë insulinike, ndonëse shumë efikas, është më i kushtueshëm, krahasuar me metodat tradicionale.

Për këtë arsye, sipas saj, kjo metodë nuk është e përballueshme për të gjithë pacientët.

Nevojën për pompa insulinike e kanë ngritur edhe në Shoqatën e Diabetikëve.

“Është shumë më e lehtë për pacientin, sepse ai është nën kontroll të vazhdueshëm dhe trupi i tij e merr sasinë e insulinës që i nevojitet, e jo thjesht atë që i është përshkruar. Kjo është një ndihmë e madhe, sidomos për fëmijët që janë të prekur nga diabeti”, ka thënë Idriz Hetemi nga Shoqata e Diabetëkëve.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se aktualisht janë në pritje të një përgjigjeje nga zyrtarët përgjegjës të Fondit për Sigurime Shëndetësore, për të kuptuar nëse është pranuar ndonjë kërkesë nga SHSKUK-ja për përfshirjen e pompave insulinike në listën e barnave esenciale. 

“Edhe ne jemi duke pritur një përgjigje nga zyrtarët përgjegjës lidhur me këtë çështje, mirëpo deri më tani nuk kemi marrë ende një konfirmim zyrtar nëse ka ndonjë kërkesë të tillë nga SHSKUK-ja”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KOHËN. 

Doktoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Olloni-Nikaj, ka treguar se është bërë kërkesë që kjo pajisje të përfshihet në listën e barnave esenciale.

“Kërkesa është bërë nga ana e Klinikës, që ky lloj trajtimi të përfshihet në listën e barnave esenciale. Shpresojmë që të paktën të fillohet me një numër më të vogël pacientësh dhe gradualisht të zgjerohet qasja për të gjithë”, ka thënë Olloni-Nikaj.

E, drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Amir Keka ka thënë se nuk ka njohuri,  nëse është bërë ndonjë kërkesë e tillë.

“Jam vetëm në fillim të mandatit tim në këtë drejtori dhe aktualisht nuk kam informata, nëse është bërë ndonjë kërkesë zyrtare nga Klinika e Endokrinologjisë, për përfshirjen e pompave insulinike në Listën e barnave esenciale. Sapo të kem më shumë informacion, do të mund të jap një përgjigje më të saktë”, ka thënë Keka.

Sipas të dhënave të Klinikës së Endokrinologjisë, rreth 1.000 persona në Kosovë janë të diagnostikuar me diabet të tipit 1.