Qeveria e Kosovës është shprehur pro propozimit për fushatë më të shkurtër zgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit.
Të enjten gjatë ditës partitë opozitare u pajtuan që fushata zgjedhore të jetë më e shkurtër. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, fillimisht propozoi që fushata të reduktohet në 10 ditë. Propozimin e tij e dha edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që u shpreh se fushata duhet të jetë pesëditëshe. Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u deklarua pro propozimit për fushatë të shkurtër. Në mbrëmje, Abdixhiku u shpreh se ka marrë konfirmim nga të gjithë, pos liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrit Albin Kurti.
Tani Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se është pro bashkëpunimit pasi e konsideron të përbashkët betejën me pandeminë.
“Ne mbështesim propozimin që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër, varësisht nga rekomandimet e IKShPK-së. Beteja me pandeminë është betejë e përbashkët sepse të gjithë përballemi me të njëjtin rrezik, pa dallim. Prandaj, sikurse në Qeverinë Kurti 1, ne jemi të hapur për bashkëpunim. Por, siç ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkëpunim është edhe atëherë kur nuk pengohen përpjekjet e Qeverisë për menaxhimin e pandemisë, edhe atëherë kur nuk përhapen dezinformata për vaksina dhe afatin e tyre, e edhe kur respektohen masat e qeverisë. Andaj, le të fillojmë nga kjo formë e bashkëpunimit”, ka deklaruar zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.