Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Kryeministri Albin Kurti, në këtë mbledhje ka thënë se buxheti për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Kurti ka theksuar se me këtë Projektligj parashihet që koeficienti i pagave në sektorin publik do të jetë 110 euro.
“Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij vitit se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik, ashtu siç kemi thënë”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se për vitin e ardhëm kanë shtuar numrin e policëve për 500 e numrin e ushtarëve për 600.
“Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të kalojë 216 milionë euro. Ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie 22 për qind më shumë sesa vitit 2023”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se edhe mbështetja për sektorin e arsimit do të rritet me rreth 20 për qind. Sipas tij për këtë sektor në vitin 2024 do të ndahen 370 milionë euro.
Kurti ka thënë se edhe shëndetësia do “të vazhdojë të jetë prioritet i tyre”. Për këtë sektor ai ka thënë se në vitin e ardhshëm do të ndahen mbi 340 milionë euro.
Buxheti ka thënë se është rritur edhe për sektorin e drejtësisë e atë të kuturës, rinisë e sportit.
"Punë dhe drejtësi ka qenë sllogani ynë, andaj edhe buxhetin e kemi rritur për këtë dikaster. Krahasuar me vitin 2023, Ministrisë së Drejtësisë i kemi ndarë 31% më shumë buxhet ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi.Sivjet morëm lajmin më të mirë në dekada për sportistët tanë, se do të jemi shtet mikpritës për Lojërat Mesdhetare 2030, dhe kjo duhet të përcillet edhe me investimet përkatëse në sport e infrastrukturë për të cilat jemi zotuar. Andaj kemi rritur buxhetin si asnjëherë më parë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke i ndarë mbi 58 milionë euro për investime kapitale vetëm për vitin 2024, e trendi njëjtë do të vazhdojë edhe për vitet pasuese, sepse duam t’i tregojmë botës se Kosova po bëhet konkurrent serioz në sport", ka theksuar ai.
Për vitin 2024 Kurti ka thënë se kanë ndarë 860 milionë euro për investime kapitale. "Do të vazhdojmë mbështetjen për investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit, dhe në kapacitete të reja energjetike. Për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro për investime kapitale", është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se Qeveria e tij si asnjëherë më parë është përballur me më shumë sfida, se secila Qeveri që nga paslufta.
Kryeministri Albin Kurti, në këtë mbledhje ka thënë se Qeveria e tij, si asnjëherë më parë është përballur me më shumë sfida, se secila Qeveri që nga paslufta.
Ai ka thënë se në këtë mandat kanë menaxhuar pandeminë, kanë tejkaluar krizën energjetike dhe kanë mbështetur qytetarët për t’u përballur me inflacionin.
Sipas tij për 31 muaj të mandatit të tyre, ekonomisë së vendit i janë shtuar 60 mijë vende të reja pune.
“Që prej marrjes së mandatit në mars të vitit 2021 jemi ballafaquar me më shumë sfida globale se cilado qeveri tjetër që nga paslufta. Gjasat për një pandemie siç ishte ajo e COVID-19 janë një në 100 vjet, çmimet e energjisë që i pamë vitin e kaluar nuk ishin parë asnjëherë e ndoshta krahasimi më i përafërt është ai me krizën e naftës në vitit ’70, pra një herë në 50 vjet. Inflacion dyshifror në nivel global, për herë të parë ishte parë në vitet ’80, pra një herë në 40 vjet”, ka theksuar Kurti.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, të hyrat buxhetore për vitin 2024 pritet të arrijnë në 3 miliardë e 28 milionë euro, që ai ka thënë se paraqet rritje prej 5 për qind në raport me vitin paraprak.
“Rritja ekonomike në 2023-n pritet të përmbyllet me 4 për qind në terma realë, e 9 për qind në terma nominalë. Rritjes ekonomike do t’i paraprijë edhe një dinamikë e përshpejtuar e ekzekutimit të investimeve kapitale publike dhe orientimit në sektorë prioritarë. Presim që në 2024-n të hyrat e buxhetit të arrijnë në 3 miliardë e 28 milionë euro, që paraqet një rritje prej 5 për qind në raport me vitin paraprak”, ka thënë Murati.
Murati ka thënë se sa i përket çerdheve kanë paraparë një numër të theksuar të tyre.
“Por, nuk nënkupton se të gjitha do të jenë të reja, por do të ketë edhe ripërshtatje të objekteve”, tha Murati.
Ai ka thënë se në Projektbuxhetin e vitit 2024 është paraparë edhe programi i banimit të përballueshëm e social.
“Të gjitha premtimet që i kemi dhënë do t’i përmbyllim brenda afatit”, tha Murati.
Ai nuk ka dashur të komentojë pakënaqësitë e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) për protestë të mërkurën dhe pakënaqësitë e tyre me shtesa.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë
Sot si pikë të rendit të ditës e kemi miratimin e buxhetit për vitin 2024, e që njëkohësisht i bie të jetë buxheti i tretë vjetor që po e miratojmë, pas atyre për vitet 2022 dhe 2023.
Që prej marrjes së mandatit në mars të vitit 2021 deri më tani, jemi ballafaquar me më shumë sfida globale se cilado Qeveri tjetër që nga paslufta.
Gjasat për një pandemi siç ishte ajo e Covid-19 janë një në 100 vjet. Çmime të energjisë që i pamë vitin e kaluar nuk ishin parë asnjëherë më parë e ndoshta krahasimi më i përafërt është me krizën e naftës në vitet e 70-ta, pra një krizë e tillë mund të ndodhë një herë në 50 vjet. Inflacion dyshifror në nivel global herën e fundit ishte parë në vitet e 80-ta, pra diçka që ndodhë një herë në 40 vjet.
Shpeshherë mjafton një krizë e këtyre përmasave që ta gjunjëzojë një Qeveri apo një shtet. Për fatin tonë si Qeveri, tri kriza globale, me gjasa të vogla të ndodhin ngjanë brenda një mandati, dhe megjithëkëtë, ia dolëm shumë më mirë sesa të tjerët na e prognozonin.
Menaxhuam pandeminë, tejkaluam krizën energjetike, dhe mbështetëm qytetarët për t’u përballur me inflacionin. Dhe jo vetëm që menaxhuam këto kriza me sukses, por arritëm që përgjatë këtyre viteve të vështira, edhe të rrisim ekonominë edhe vendet e punës si asnjëherë më parë.
Për këta 31 muaj të mandatit tonë, ekonomisë i’u shtuam 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare. Kjo si rezultat i politikave e masave të suksesshme për rritje të ekonomisë e të punësimit ku ndër tjera: mbështetëm bujkun me subvencione të rritura, mbështetëm prodhuesit vendorë me subvencionim të kredive investuese, mbështetëm bizneset dhe punësimin e grave, mbështetëm bizneset dhe punësimin e komuniteteve jo-shumicë, mbështetëm sektorin e teknologjisë informative me bursa e kuponë për kurse, familjet pa asnjë të punësuar përmes masës Qeveria për Familjet i përkrahëm, mbështetëm punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe mbështetëm drejtpërdrejtë edhe punësimin e të rinjve nëpërmjet programit Superpuna.
Asnjë Qeveri para kësaj tonës, e madje as të gjitha ato marrë së bashku, nuk kanë bërë kaq shumë masa mbështetëse për krijimin e vendeve të reja të punës. Rritja e vendeve të punës po vazhdon, e me të edhe ekonomia apo bruto prodhimi vendor, që për herë të parë do të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë euro në vitin që po vjen. Kjo gjithsesi është diçka për t’u shënuar.
Rritëm edhe të hyrat buxhetore pa e ndryshuar asnjë politikë fiskale.
Projeksioni për të hyrat tatimore për vitin 2024 është 2 miliardë e 705 milionë euro, e që kur krahasohet me vitin e fundit para pandemisë që është viti 2019, i bie se po mbledhim 1 miliardë e 43 milionë euro më shumë, apo rreth 63% më shumë. Para se të vinim ne në Qeveri, tatimi që mblidhej nga korporatat nuk tejkalonte shifrën 95 milionë euro në vit siç ishte në 2019-tën , e me Qeverinë tonë për vitin 2024 do të jenë 217 milionë euro apo më shumë se dyfishim, pa ndryshuar shkallën tatimore për korporata.
Një ekonomi më e fortë e me më shumë vende pune, na mundëson edhe rritje të buxhetit. Ky buxhet do të shkojë në një rritje të mbështetjes së sektorëve prioritarë dhe në zbatim të programit tonë qeverisës.
Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro, dhe këtë po e realizojmë. Pra, po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë. Të gjitha përllogaritjet e buxhetit te kategoria e pagave janë duke marrë për bazë edhe rritjen e koeficientit. Dhe, gjithsej buxheti për paga parashihet që të jetë 805 milionë euro, apo rreth 30% më lartë sesa buxheti para 5 viteve.
Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht.
Edhe arsimi do të ketë mbështetjen e nevojshme, për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave, dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa. Bashkë me grantin që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore për arsimin do të arrijë në 370 milionë euro apo rreth 20% më shumë sesa viti 2023.
Shëndetësia vazhdon të jetë prioritet i yni, dhe do të vazhdojë të investohet në renovim të spitaleve e blerje të pajisjeve të teknologjisë së fundit, ashtu që më të dashurit tanë të mos kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar shërim. Prandaj për vitin 2024 ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25%, kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat.
Punë dhe drejtësi ka qenë sllogani ynë, andaj edhe buxhetin e kemi rritur për këtë dikaster. Krahasuar me vitin 2023, Ministrisë së Drejtësisë i kemi ndarë 31% më shumë buxhet ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi.
Sivjet morëm lajmin më të mirë në dekada për sportistët tanë, se do të jemi shtet mikpritës për Lojërat Mesdhetare 2030, dhe kjo duhet të përcillet edhe me investimet përkatëse në sport e infrastrukturë për të cilat jemi zotuar. Andaj kemi rritur buxhetin si asnjëherë më parë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke i ndarë mbi 58 milionë euro për investime kapitale vetëm për vitin 2024, e trendi njëjtë do të vazhdojë edhe për vitet pasuese, sepse duam t’i tregojmë botës se Kosova po bëhet konkurrent serioz në sport.
Do të vazhdojmë mbështetjen për investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit, dhe në kapacitete të reja energjetike. Për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro për investime kapitale.
Me këtë buxhet është paraparë edhe investimi në digjitalizim dhe e-qeverisje që do ta zbatojmë bashkë me Bankën Botërore.
Njësoj do të fillojë edhe zbatimi i reformës sociale gjatë vitit të ardhshëm, e cila do të prekë familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetjen me dorën e shtetit.
Pikturën e zhvillimit ekonomik po e kompletojmë me Fondin Sovran, i cili tashmë ka marrë formë përmes projektligjit të dorëzuar në Kuvend, dhe me kapitalin themeltar të paraparë në këtë buxhet do t’i japim edhe substancën e nevojshme për operacionalizim.
Duhet të mos harrojmë që ky buxhet nuk është vetëm për Qeverinë e i Qeverisë, por edhe i komunave. Për vitin 2024 kemi ndarë 742 milionë euro për komunat e Kosovës, ku nga kjo shumë 635 milionë euro janë grant që u ipet komunave nga Qeveria, kurse 107 milionë euro të tjera janë të hyra vetanake të cilat komunat i mbledhin.
Pra, qytetarë të nderuar, ky buxhet është i të gjithëve, e për të gjithë, sepse janë taksat e tatimet të të gjithëve të cilat e mbushin buxhetin e përbashkët të shtetit tonë për shoqërinë tonë.
Si Qeveri, e kemi për detyrë që paratë që mbledhim, t’i mirëmenaxhojmë, e t’i rishpërndajmë ashtu që të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, shtim të vendeve të reja të punës, dhe mirëqenie e dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit.
Ka edhe sfida tjera që na presin deri në fund të mandatit, por që, edhe ato do t’i tejkalojmë me sukses, sepse idetë e mira dhe programi i drejtë na prijnë, kurse vullneti e bindja nuk na mungojnë.