Qeveria ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2024, i cili do të jetë për 100 milionë euro më i lartë se i sivjetmi. Nëse dokumenti kalon në Kuvend, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro. Kryeministri Albin Kurti tha se me buxhetin e ri, rëndësi u është kushtuar sigurisë e mbrojtjes
Tre miliardë e 314 milionë euro është projekt-buxheti për vitin 2024, të cilin e ka miratuar Qeveria të martën. Ai është 102 milionë më i lartë se i sivjetmi.
Në prezantimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm, kryeministri Albin Kurti tha se kujdes u është kushtuar sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas kryeministrit Kurt, në vitin 2024 do të rrisin numrin e policëve edhe për 500 të tjerë, derisa atë të ushtarëve edhe për 600.
“Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22 për qind më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai ka prezantuar buxhetin e paraparë për disa prej dikastereve ministrore. Ka veçuar atë për arsimin, që sipas tij do të arrijë në 370 milionë euro apo rreth 20 për qind më shumë sesa këtë vit.
Edhe
Qeveria projekton buxhet prej 3.6 miliardë eurosh për 2025-n
“Arsimi do të ketë mbështetjen e nevojshme, për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave, dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa”, ka thënë kreu i qeverisë.
Kurti ka bërë të ditur se Qeveria do të vazhdojë me investimet në renovimin e spitaleve e blerjen e pajisje në mënyrë që qytetarët “të mos kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar shërim”.
“Për vitin 2024, SHSKUK-së i është shtuar buxheti për 25 për qind, kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komunat”, ka thënë ai.
Sipas prezantimit të Kurtit, buxheti për Ministrinë e Drejtësisë është rritur për 31 për qind, kurse për Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, janë ndarë mbi 58 milionë euro për investime kapitale.
Mbështetje tha se do të kenë edhe investimet e reja kapitale në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, në diga e rrjete të ujësjellësit, si dhe në kapacitetet e reja energjetike.
“Për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro për investime kapitale”, ka thënë kryeministri Kurti.
Edhe
Qeveria dërgon në Kuvend Projektligjin për buxhetin e vitit 2024
Sipas tij, nga buxheti total, 742 milionë euro janë për komunat. Prej tyre 635 milionë janë grant që u jepet komunave e 107 milionë euro të tjera të hyra vetanake të tyre.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me buxhetin e vitit të ardhshëm synohet vazhdimi i reformave që kanë nisur.
“Ky propozim buxhet ofron më të mirën për qytetarët dhe ekonominë tonë dhe nëpërmes këtij buxheti synohet vazhdimësia e reformave strukturore të nisura gjatë mandatit tonë si qeveri, të cilat do të gjenerojnë rritje të qëndrueshme ekonomike, rritje të mirëqenies së qytetarëve, rritje të punësimit, por gjithmonë duke siguruar edhe qëndrueshmërinë e financave publike në periudhën afatmesme dhe afatgjate”, ka thënë ai.
Murati tha se gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë rritje të eksportit të mallrave, e që sipas ministrit, do të bëhet përmes mbështetjes së prodhuesve vendorë me masat fiskale që do të ndërmarrin.
E, në një konferencë për media, ministri Murati tha se do të mbajnë premtimin e dhënë që koeficienti i pagave për vitin 2024 të jetë 110 euro. Me këtë rritje, sipas ministrit, paga mesatare në sektorin publik do të jetë 780 euro.
Edhe
Kurti: Kritikat për buxhetin do të trajtohen me rastin e rishikimit
Për rritjen e pagave në sektorin publik paraprakisht ka folur edhe kryeministri Kurti.
“Të gjitha përllogaritjet e buxhetit te kategoria e pagave janë duke e marrë për bazë edhe rritjen e koeficientit. Dhe, gjithsej buxheti për paga parashihet që të jetë 805 milionë euro, apo rreth 30 për qind më lartë sesa buxheti para 5 vjetëve”, ka thënë Kurti.